
Hapet ‘Tuneli i Murrizit’, Rama: Dibrën e shpëtuam ne!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama mori sot (14 mars) pjesë në hapjen e Tunelit të Murrizit, në 'Rrugën e Arbrit' në Dibër.
Me hapjen e tunelit pas 6 vitesh punimesh për qarkullimin e mjeteve, udhëtimi nga Tirana në Dibër dhe anasjelltas, do të jetë vetëm 2 orë dhe është i ndërtuar me strukturë hekuri dhe jo guri apo gërmimi.
Qindra qytetarë kanë pritur kryeministrin dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë dhe institucioneve teksa inaugurohej tuneli i ri, ndërsa në sfond kishte muzikë dhe valle festive.
Teksa përshëndeste të pranishmit në hyrje të tunelit, dëgjoheshin edhe thirrje të tilla si “Mirëseerdhe Skënderbeu i Shqipërisë!”, apo “Ti je më i miri, e mbajte premtimin!”. Nuk munguan as parulla si "Plasi syri i keq!".
Një tjetër detaj pikant ka qenë zënia e rrugës së kryeministrit nga një fëmijë me telefon në dorë, që kërkonte ta filmonte dhe fotografonte live. Kryeministri e mori në krahë dhe e përqafoi, teksa vijoi më tej të përshëndetej me banorët dhe stafin e punonjësve të këtij kantieri.
Jemi shumë të lumtur për këtë vepër. Jemi të kënaqur që ky tunel u bë”, shprehet një banore teksa grupi udhëton me autobus drjet sheshit të kantierit për inaugurim.
Kryeministri Rama i përgjigjet:
“Dibra nuk shpëtoi, Dibrën e shpëtuam ne, tani edhe Maqellarë-Peshkopi, mbaron në prill. Nuk besojnë ata, thonë do e lënë se e kanë për zgjedhje”.
Kryeministri shoqërohej edhe nga ministrja e Infrastrukturës, njëkohësisht zv/kryeministrja Belinda Balluku./E.P-dritare.net

















