Greqia shpall “non grata” gazetarin investigativ Artan Hoxha
Dritare.net
Autoritetet greke kanë shpallur gazetarin investigativ shqiptar Artan Hoxha si person të padëshirueshëm (“non grata”), duke argumentuar se ai paraqet rrezik për rendin publik dhe sigurinë e brendshme të Republikës së Greqisë.
Hoxha u ndalua ditën e djeshme në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, teksa po udhëtonte drejt Janinës. Gjatë kontrollit në sportelin e pasaportave, policia greke i komunikoi se nuk i lejohej hyrja në territorin grek. Sipas dokumentacionit të dorëzuar nga autoritetet, vendimi përjashtues është marrë që në fillim të vitit 2024 dhe është motivuar me akuza për “rrezik” ndaj rendit publik dhe sigurisë së brendshme, përfshirë edhe implikime në marrëdhënie ndërkombëtare me shtete të Bashkimit Europian.
Pas marrjes së pasaportës, Hoxha u mbajt për rreth një orë nga policia kufitare. Më pas, në dokumentin e dorëzuar nga grekët, është shënuar se Hoxha është “karakterizuar si person i padëshirueshëm” dhe se konsiderohet “i rrezikshëm” për sigurinë publike. Si simbol i këtij vendimi, në pasaportën e tij u vendos një kryq me stilolaps mbi vulën e policisë greke, dhe gazetarit iu kërkua largimi i menjëhershëm nga Greqia.
Ky nuk është rasti i parë i tensionuar mes autoriteteve greke dhe gazetarëve shqiptarë që ballafaqohen me publikime kritike ndaj figurave me ndikim politik grek. Artan Hoxha ka qenë aktiv në investigime lidhur me çështje historike dhe politike, përfshirë denoncime për Fredi Belerin — ish-kandidat për eurodeputet nga Nea Dimokratia — përfshirë edhe hetime për “Masakrën e Peshkepisë” dhe shkelje të supozuara të interesave kombëtare shqiptare./L.F-dritare.net