Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Londra vijon kërkimet për Ilir Kumbaron! Ish-shefi i SHIK-ut të Berishës u dënua për zhdukjen e Remzi Hoxhës

Londra vijon kërkimet për Ilir Kumbaron! Ish-shefi i SHIK-ut të

Autoritetet britanike vijojnë kërkimet për ish kreun shqiptar të SHIK-ut, Ilir Kumbaro, i arratisur 14 vite më parë nga Londra, ndërsa ishte në liri me kusht, përpara një seance ekstradimi në dhjetor të vitit 2011. Kështu shkruan gazeta britanike 'The Telegraf' në një artikull kushtuar Ilir Kumbaros, shefit të spiunazhit shqiptar të kërkuar për tortura ndaj kundërshtarëve politik në Shqipëri.

Kumbaro, tani në të 70-at, kërkohet në Shqipëri për urdhërimin e rrëmbimit dhe torturës së tre personave në vitin 1995, të cilët dyshoheshin se po komplotonin kundër presidentit të atëhershëm, Sali Berisha. Policia Metropolitane ka lëshuar një apel të ri për informacion në lidhje me Kumbaron përmes organizatës bamirëse Crimestoppers. Scotland Yard u bën thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në gjetjen e tij.

The Telegraph mësoi se hetuesit po bëjnë kërkime dhe po ndjekin pista të reja për vendndodhjen e Kumbaros. Ai u pa për herë të fundit duke bërë pazar në një supermarket në Cardiff me bashkëshorten e tij në vitin 2016, sipas një burimi shqiptar. Rikapja e Kumbaros do t’i sillte një farë qetësimi familjes së Remzi Hoxhës, një biznesmen shqiptar-maqedonas, i cili u rrëmbye në veri të Tiranës më 21 tetor 1995 dhe u torturua në një magazinë, bashkë me Zizo Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, me urdhër të Kumbaros – atëherë shef i shërbimit të inteligjencës të Shqipërisë, shkruan The Telegraph.

I biri, Ardian Hoxha, i tha The Telegraph: “Jemi shumë të lumtur që më në fund autoritetet britanike janë riangazhuar me çështjen e Ilir Kumbaros, personit që rrëmbeu, torturoi fizikisht dhe vrau babain tim.”.

Djali i Remzi Hoxhës thotë se familja e kishte humbur besimin te drejtësia britanike, por tashmë duket se ende ka persona të nderuar që duan ta shohin drejtësinë të vihet në vend, thotë ai për The Telegraph. Ardian Hoxha shton më tej për gazetën prestigjoze se autoritetet britanike mund ta gjejnë Ilir Kumbaron.

‘Nëse autoritetet britanike vërtet duan ta gjejnë Ilir Kumbaron, mund ta bëjnë shumë lehtë, pasi fëmijët dhe familja e tij jetojnë në Londër, dhe ka shumë mënyra për ta gjurmuar, lokalizuar dhe sjellë para drejtësisë.”
Në vitin 2012, ish-gjykata e krimeve të rënda në Tiranë e dënoi Kumbaron në mungesë me 15 vjet burg për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës./dritare.net