Ne kemi akoma turp nga organet tona! Thirrje për edukim seksual në shkolla!
Dritare.net

Historia e Besmirës në librin “Anatomia e një Vrasëseje” të autores Eva Caca nuk është thjesht një tregim individual, por një pasqyrë e plagëve më të thella të shoqërisë sonë. Në bisedën e sotme me Rudina Xhungën, autorja Caca dhe shkrimtarja Rezarta Reso shpalosën dimensionet e vërteta të kësaj historie, jo vetëm tragjedinë e një gruaje, por edhe shkaqet që e krijojnë dhe e ushqejnë dhunën në familjet tona.
Duke u larguar nga historia individuale, biseda në Shqip u zgjerua për të analizuar shkaqet shoqërore që nxisin dhunën. U fol për mentalitetin patriarkal që ende sundon, për presionin e vazhdueshëm që bie mbi gratë, dhe për mënyrën si djemtë edukohen duke u mësuar të shtypin emocionet dhe të tregojnë forcë. Eva Caca theksoi se për të kuruar shoqërinë, duhet të “merremi me meshkujt”, me edukimin që u japim dhe me përgjegjësinë që u mësojmë.
Një pikë thelbësore ishte mungesa totale e edukimit seksual në shkollat shqiptare, një boshllëk që i lë të rinjtë të pambrojtur dhe të paarsimuar për trupin, pëlqimin dhe kufijtë personalë. Kjo heshtje familjare dhe institucionale krijon terrenin ku lind abuzimi dhe ku tragjedi si ajo e Besmirës bëhen të mundshme.
Tema e edukimit seksual u kthye në qendrën e bisedës. Në një shoqëri ku televizionet flasin hapur për çdo lloj marrëdhënieje, por ku ende turpërohemi t’u flasim fëmijëve për trupin dhe seksualitetin, krijohet një paradoks i rrezikshëm. Rezarta Reso pyeti me të drejtë:
“Si do ta respektojë djali, vajzën kur ajo i thotë ‘jo’, nëse askush nuk ia ka mësuar?”
Ky diskutim ishte një thirrje urgjente për prindërit dhe shkollat: t’u mësojmë fëmijëve pëlqimin, kufijtë dhe respektin. Sepse lënia e tyre në errësirë informative nuk është thjesht mungesë edukimi, është një dështim kolektiv me pasoja të rënda dhe të dhimbshme./dritare.net

