Përmbytjet/ Stabilizohet situata në Fier, lumenjtë tërhiqen. Në Korçë bie dëborë
Dritare.net

Pas ditëve me reshje intensive dhe përmbytje në disa zona të vendit, situata po përmirësohet gradualisht. Në Fier, niveli i lumenjve Vjosë dhe Seman ka rënë, duke u tërhequr ujerat nga tokat bujqësore dhe lehtësuar gjendjen për banorët dhe bujqit e zonës.
Edhe pse reshjet kanë shkaktuar vështirësi ditët e fundit, autoritetet lokale raportojnë se situata po stabilizohet, ndërsa ekipet e emergjencave vazhdojnë monitorimin e zonave më të rrezikuara.
Ndërkohë, në Korçë dhe rrethinat e saj, reshjet e borës kanë zbardhur qytetin dhe malësitë përreth, duke krijuar një peizazh dimëror tipik dhe paralajmëruar fillimin e sezonit të ftohtë dimëror në këtë pjesë të vendit.
Instituti i Gjeoshkencave dhe Meteo-shkencave paralajmëron se moti mbetet i paqëndrueshëm në disa zona të vendit, me reshje të herëpashershme shiu dhe bore, dhe fton qytetarët të jenë të kujdesshëm, sidomos në zonat e ulëta dhe rrugët malore./K.C/dritare.net