Moti i keq/ Policia Rrugore apel drejtuesve: Respektoni sinjalistikën dhe pajisuni me goma dimërore
Dritare.net

Policia Rrugore bën apel për drejtuesit e mjeteve që të jenë të kujdesshëm në rrugë për shkak të motit të keq, me reshje shiu në të gjithë vendin dhe dëborë në disa zona. Ajo kërkon respektimin e sinjalistikës rrugore, pajisjen me goma dimërore dhe zinxhirë, si dhe ndjekjen e udhëzimeve të patrullave rrugore.
Për të garantuar qarkullimin e sigurt, shërbimet e Policisë bashkëpunojnë me entet pronare të rrugëve dhe firmat kontraktore për pastrimin e rrugëve nga bora dhe shpërndarjen e kripës.
Policia gjithashtu kujton drejtuesit e mjeteve të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit, të shmangin shpejtësinë e madhe dhe parakalimet e rrezikshme, si dhe të mos drejtojnë nën ndikimin e alkoolit./K.C/dritare.net