Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Moti i keq/ Vengu nga Maliqi: 15 ura në rang vendi janë të dëmtuara, 1500 ha tokë nën ujë

Moti i keq/ Vengu nga Maliqi: 15 ura në rang vendi janë të

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka qenë sot në Maliq, një nga zonat më të goditura nga reshjet intensive të ditëve të fundit, ku situata mbetet e rënduar për shkak të përmbytjeve dhe dëmtimeve në infrastrukturë.

Gjatë inspektimit në terren, Vengu bëri të ditur se argjinatura në Sheqeras ka pësuar dëmtime të konsiderueshme, ndërsa ekipet e bashkisë së Maliqit dhe drejtoritë rajonale të kullimit kanë nisur punimet që në orët e para të mëngjesit.

“Jemi në Maliq ku në argjinaturën në Sheqeras ka pasur dëmtime të konsiderueshme. Në orët e para bashkia e Maliqit dhe drejtoritë rajonale të kullimit janë duke bërë punime. Jemi në gatishmëri të plotë, në vijim do të kemi një shtim të forcave. Do të jenë ditë të vështira, pasi toka është shumë e pastabilizuar për punime”, deklaroi ministri.

Situata është problematike edhe në nivel kombëtar. Vengu njoftoi se 15 ura janë shembur në të gjithë vendin, ndërsa dëmet e raportuara në zona të ndryshme vijojnë të rriten. Ndërkohë ka nisur shpërndarja e ndihmave për familjet e prekura.

“Ka filluar shpërndarja e ndihmave në çdo vend. Ne kemi një praktikë të konsoliduar: në momentet kur episodet e fatkeqësive kalojnë, bëjmë evidentimin e dëmeve në çdo shtëpi dhe do të bëjmë dëmshpërblime sipas ligjit. Tani është herët për një llogaritje”, theksoi Vengu.

Sipas tij, aktualisht 1500 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë, duke krijuar vështirësi të mëdha për komunitetet lokale dhe për sezonin bujqësor. Autoritetet mbeten në gatishmëri në pritje të përkeqësimit të mundshëm të motit në ditët në vijim./dritare.net