Prokurorja: Naim Murseli kishte borxh afër gjysmë milioni euro
Dritare.net

Në Prishtinë po zhvillohet seanca ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Gjatë seancës, prokurorja Javorka Perlinçeviq ka propozuar administrimin e disa provave shtesë, duke përfshirë borxhet e të akuzuarit Naim Murseli, të cilat arrijnë afërsisht 475,968 euro, duke përfshirë borxhe ndaj individëve dhe institucioneve.
Po ashtu, prokurorja ka referuar edhe sigurimin jetësor të Liridona Ademajt në Suedi, me vlerë 3 milionë krune suedeze, ku sipas ligjit suedez përfituese në rast të humbjes së jetës, në mungesë të vartësve, do të ishte bashkëshorti.
Në seancë mungoi Shaban Murseli, babai i Naimit, i cili njoftoi gjykatën se ndodhej në Suedi dhe nuk mund të paraqitej fizikisht. Prokurorja propozoi leximin e dëshmisë së tij të dhënë më 6 dhjetor 2023, e cila u aprovua nga të gjitha palët dhe u lexua në sallë.
Në dëshminë e tij, Shaban Murseli tregoi se më 1 dhjetor 2023, pas informimit nga djali i tij, Mërgimi, udhëtoi drejt Kosovës së bashku me familjen për të biseduar me Naimin dhe familjen e tij. Ai shtoi se nuk kishte vërejtur asgjë të dyshimtë dhe nuk kishte dyshim se Naimi mund të ishte nxitur drejt kryerjes së veprës.
Gjithashtu, Shaban Murseli shprehu shqetësim për sigurinë e tij dhe të familjes, duke përmendur edhe kërcënime nga anëtarë të familjes së të ndjerës.
Seanca vazhdon për administrimin e provave dhe dëshmive të tjera relevante për këtë rast./L.F-dritare.net