
Gjykata e Tiranës i hap rrugën ekstradimit të Dritan Goxhajt në Hagë
Dritare.net
Sot u zhvillua seanca e radhës gjyqësore për Dritan Goxhajn, i arrestuar në vendin tonë më 31 korrik me urdhër të Gjykatës së Posaçme për Krimet e Luftës. Gjykata i hapi rrugë ekstradimit të ish luftëtarit të UÇK në Hagë.
Ky institucion e akuzon ish-anëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për vepra penale që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare. Gjykata Speciale e Kosovës e akuzon zotin Goxhaj se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Nga ana tjetër, avokatët e Goxhajt kanë kërkuar lirimin e tij dhe e kanë cilësuar arrestimin si politik.
Ndërsa mbahej gjyqi, mbështetës të zotit Goxhaj, protestuan jashtë dyerve të Gjykatës së Tiranës. Me pankarta në duar dhe bluza me simbolet kombëtare dhe të UÇK-së, ata e konsideruan si të padrejtë arrestimin dhe kërkuan lirimin e Goxhajt./L.F-dritare.net

















