Dumani në Bruksel: Kemi marrë kërcënime nga politika dhe krimi
Dritare.net

Gjatë një vizite zyrtare në Bruksel në Qendrën Europiane të Politikave, kryeprokurori i SPAK-ut, Altin Dumani, bëri një pasqyrë të hapur të më shumë se gjashtë viteve veprimtari të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vënë në pah si arritjet ashtu edhe vështirësitë substanciale me të cilat është përballur institucioni.
Dumani tregoi se SPAK ka evoluar në një “institucion model” të reformës në drejtësi në Shqipëri — i bazuar tek parimet e pavarësisë, profesionalizmit, qëndrueshmërisë institucionale, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe besimit publik. Por, ai paralajmëroi se ky udhëtim nuk ka qenë i lehtë.
Një nga sfidat kryesore, sipas tij, janë “presionet e shumta” që vijnë nga tre palë: politika, media dhe krimi i organizuar. Këto, tha ai, rrezikojnë “integritetin institucional dhe pavarësinë kushtetuese” të prokurorëve të posaçëm.
Dumani theksoi se prokurorët e SPAK janë përgatitur dhe kanë përvojë për të përballuar këto presione, por ai bëri thirrje për “një reagim të koordinuar institucional” për mbrojtjen e pavarësisë së institucionit.
Një tjetër problem që u ngrit ishte statusi ligjor i prokurorëve pas përfundimit të mandatit të tyre.
Gjithashtu, ai paralajmëroi për rritjen e kërcënimeve konkrete ndaj prokurorëve, përfshirë telefonata kërcënuese dhe trysni ndaj familjarëve. Në rastet më ekstreme, sipas tij, “krimi i organizuar ka planifikuar edhe atentate.”
Paralelisht, Dumani theksoi nevojën urgjente për forcimin e një njësie analize brenda SPAK që do të përqendrohet në hetimet komplekse dhe menaxhimin e riskut. Ai theksoi gjithashtu se sistemi elektronik për menaxhimin e çështjeve (Case Management System) është ende jo funksional në nivel të plotë, pasi projekti ka mbetur pezull pas përfundimit të një faze me mbështetje ndërkombëtare.
Dumani përfundoi mesazhin me një apel për mbështetje institucionale dhe ligjore: ai nuk kërkon “mburojë politike”, por as “lojë me rregulla të pandershme”. /L.F-dritare.net