Dosja Balluku/ SPAK dyshon se u paracaktuan fituesit për 7 lotet!
Dritare.net

Dosja “Balluku” duket se është shumë më e madhe nga çfarë është parë deri tani. Ajo që fillimisht u paraqit si një hetim për tunelin e Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe, ka marrë përmasa të reja dhe nën verifikim janë të 7 lotet e projektit por edhe procedura të tjera tenderuese.
Bëhet fjalë për një nga investimet më të mëdha publike në vend, 28.7 kilometra rrugë me një vlerë rreth 450 milionë euro. Mësohet se SPAK ka në duar një sasi të madhe dokumentesh, komunikimesh dhe korrespondencash zyrtare që i përkasin viteve 2021–2023. Të gjitha këto janë pjesë e asaj që brenda institucioneve quhet “dosja e madhe” e tenderëve të infrastrukturës.
Sipas dokumentacionit në vitin 2021, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare, për Unazën u hapën 7 tendera njëherësh të Unazes së Madhe. Mesazhet e përfshira në dosjen hetimore tregojnë se më 12 gusht 2021, punonjësit e ARRSH-së punonin deri pas mesnate për publikimin e tenderëve.
Bisedat më 11 gusht 2021
Evis Berberi: Hapja e ofertave ne 15 shtator te gjitha unazat
Miranda Shkurti: Po Edhe po te hedhim nesër ndonjë po në 15 shtator
Evis Berberi: Jo i dua në një ditë, të gjitha të hedhura
Miranda Shkurti: Po nuk i kanë përfunduar dy
Evis Berberi: "E di po i mbarojnë.
Miranda Shkurti: Ok
Evis Berberi: Hidheni edhe pas 12 që nesër të rrimë rehat se do na tërbojnë ndryshe
Sipas prokurorisë, gjithë ky nxitim kishte vetëm një qëllim, formalitetet e procedurës të mbylleshin në kohë. Sepse, siç del nga hetimet, fituesit ishin përcaktuar paraprakisht.
Edhe në vendimin e GJKKO që përcaktoi masën e pezullimit të zv. kryeministren dhe ministren Balluku, jepet një pjesë e komunikimeve, ku për çdo lot, Berberi e njoftontë eproren e tij për çdo hap, nga nisja e procedurave të ofertat. Edhe ‘modus operandi’ duket e njëjtë, me shumicën e kompanive që aplikonin që skualifikoheshin.
Nga shtatë tenderat e 15 shtatorit 2021 për Unazës e Madhe, gjashtë u fituan me shuma që shkonin nga 94.5% deri në 96.1% të fondit limit. Nga 48 kompani që morën pjesë në garë, 35 prej tyre u skualifikuan.
Mesazhet mes ministres Belinda Balluku dhe Berberit tregojnë se vetëm katër ditë para hapjes së ofertave, ministrja udhëzonte se kush duhej të merrte pjesë në garë dhe cilat kompani duhej të tërhiqeshin. Në Loti 4, ku janë fokusuar hetimet, nga tetë kompani, shtatë u skualifikuan.
Disa prej tyre kishin hyrë në garë pa ofertë ekonomike, pa sigurimin e ofertës apo pa dokumente bazë. Megjithatë, edhe fituesi nuk plotësonte kriteret. Kompanitë kishin paraqitur “punë të ngjashme” që nuk kishin lidhje me ndërtimin e rrugëve, por me ndërtime banesash.
Prokuroria thotë se këto mangësi u injoruan nga ministria dhe administrata. Mësohet se në tavolinën e hetuesve te SPAK ndodhen edhe procedura të tjera të mëdha infrastrukturore, të cilat po kalojnë në filter, si dokumentet, komunikimet dhe mënyra se si janë marrë vendimet. Në janar 2024 u arrestua ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi. Ai moment u pa si lëvizja e parë e dukshme e organit të hetimit, por nuk ishte lëvizja e fundit. Pasi SPAK nisi të shkundë dokumentet, hetimi u zgjerua tek të gjitha lotet e Unazës së Madhe dhe jo vetëm aty./E.P-dritare.net