
Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, jep dorëheqjen!
Dritare.net
Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, dha sot dorëheqjen. Kryeministri Edi Rama ndau kërkesën e Veliut në një postim në twitter duke shkruar se:
"Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t'i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falenderoj nga zemra për kontributin e vyer", shkruan Rama në Twitter.
Lajmi qarkulloi gjerësisht sot në media, se Veliu është shkarkuar nga detyra.
Veliu u emërua drejtori i Policisë së Shtetit me firmën e kryeministri Rama, i propozuar nga ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në shkurt të 2018. Veliu zëvendësoi në këtë detyrë Haki Çakon. Veliu ka pasur një karrierë të gjatë. Para se të emërohej drejtor i Policisë së Shtetit, Veliu mbante postin e drejtorit të Policisë Tiranë.
Në shkurt të 2020, në kuadër të vettingut në polici, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka konfirmuar në detyrë drejtorin e Përgjithshëm Policisë së Shtetit Ardi Veliun. Rezultoi se Veliu nuk kishte probleme në asnjë nga tri shtyllat e rivlerësimit, pasuria, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale. Ardi Veliu jetonte në shtëpi me qira dhe nuk kishte makinë në pronësi apo pasuri të tjera të paluajtshme.
Veliu ka qenë një nga drejtorët e policisë më të sulmuar nga opozita.
Në maj të 2020, Veliu shënoi një njollë në karrierën e tij, duke publikuar videon e nënës së një 15-vjeçari, që u dhunua nga efektivë të Policisë së Shtetit. Për këtë rast, që pati mjaft reagime asokohe, Veliu kërkoi ndjesë./L.F-dritare.net

















