
Dorëheqjet në Bashkinë e Vlorës, Dredha: Kërkesë e imja që në janar
Dritare.net
Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, ka reaguar pas nisjes së operacionit nga Task Forca për lirimin e hapësirave publike në qytetin bregdetar. Ky aksion vjen pas porosisë së dhënë nga kryeministri Edi Rama gjatë një vizite të fundit në Vlorë. Dredha ishte vetë në terren së bashku me strukturat e tjera për të mbikëqyrur zbatimin e këtij operacioni.
“Ne kemi ngritur një task forcë prej disa ditësh që po kontrollon të gjithë territorin, aty ku ka zaptim gardhesh apo kangjellash, për t’i rikthyer hapësirat qytetarëve,” deklaroi kryebashkiaku.
Në vijim të deklaratës së tij, Dredha foli edhe për dorëheqjet e disa drejtuesve të institucioneve të varësisë së Bashkisë. Ai theksoi se largimi i tyre ishte i kërkuar më herët për shkak të mungesës së përkushtimit.
“E kam kërkuar largimin e tyre edhe në janar, edhe në mars, për të motivuar drejtuesit të përkthejnë angazhimin në punë konkrete për komunitetin. Nuk ka patur hezitim nga ana ime, por duhen njerëz më të motivuar dhe të përgjegjshëm. Tani do bëjmë një skanim të plotë dhe do marrim një vendim final,” u shpreh Dredha.
Deklaratat e tij vijnë pak ditë pas kritikave të forta nga kryeministri Rama, i cili gjatë një takimi me drejtues vendorë në Bashkinë e Vlorës, kërkoi shkarkimin e të gjithë drejtorëve për shkak të performancës së dobët./l.F-dritare.net

















