Celibashi shpall rezultatin: Numërimi me AI, sukses!
Dritare.net

Në konferencën për mediat, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, teksa shpalli rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura dje në 5 bashkitë Vlorë, Tepelenë, Cërrik, Berat dhe Mat, theksoi edhe rëndësinë e miratimit të ligjit të ri zgjedhor.
“Shpresoj që ta fillojnë punën shpejt dhe ta përfundojnë brenda 2026 që të kishim ligj të ri zgjedhor. Nëse nuk do ta kemi, do të shkojmë në zgjedhjet 2027 në të njëjtën situatë gati këto 30 vite. “, u shpreh Celibashi.
Ai nuk e përjashtoi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në proceset zgjedhore të ardhshme. Ky koment erdhi pasi pranoi se testi i numërimit të votave me AI në bashkinë e Tepelenës rezultoi një sukses. Celibashi tha se rezultatet e numërimit me inteligjencë ishin thuajse 100% të njëjta me ato të raportuara nga numërimi fizik. Megjithatë, ai shtoi se është e nevojshme që të kenë ndryshime në Kodin Zgjedhor për ta bërë këtë mënyrë numërimi legjitim.
“Në përgjithësi leximi dhe analiza e këtyre pamjeve prodhoi thuajse 100% të njëjtin rezultat të numërimit fizik. Pamjet e faqes ballore të fletës, u lexuan me saktësi të plotë nëpërmjet sistemit të AI. U konstatuan vetëm disa pasaktësi në leximin e pjesës së pasme të fletës së votimit. Vlerësojmë që në të ardhmen arritja e saktësisë do të varet nga ndërtimi i disa protokolleve teknike që do të dhe të respektohen nga numëruesit dhe komisionerët. Së pari, e qartë se duhet të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor që rezultatet nëpërmjet teknologjie të konsiderohen ligjërisht zyrtare”, tha Celibashi.
I pyetur për pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje, vetëm 18.45%, dhe sa legjitimë janë kryetarët e rinj të zgjedhur të këtyre bashkive, Celibashi u përgjigj:
“Në gjykimin e vlerësimin tim, i përkas grupit të atyre personave që angazhohen në procesin zgjedhor, që nuk është domosdoshmëri që të ketë kufi të pjesëmarrjes për t’i konsideruar zgjedhjet e vlefshme.”