Na ndiqni edhe në

Emisionet

Zbulimi i jashtëzakonshëm i ish-oficerit të sigurimit: Kim Filbi ka qenë në Shqipëri!

Zbulimi i jashtëzakonshëm i ish-oficerit të sigurimit: Kim Filbi

Një nga misteret më të mëdha të Luftës së Ftohtë në Shqipëri, dështimi spektakolar i operacioneve të CIA-s dhe MI6 në vitet '50, u analizua në emisionin Dekalog. I ftuari Vladimir Bregu, ish-oficer i shërbimit sekret, argumentoi se shkaku kryesor i dështimit ishte tradhtia e agjentit të dyfishtë britanik, Kim Philby.

Sipas Bregut, debati nëse ishte aftësia e Sigurimit të Shtetit apo informacioni i dhënë nga Philby ajo që solli fundin e operacioneve, anon qartë nga kjo e fundit.

"Vetë kryeministri britanik Tony Blair e ka cilësuar këtë si një nga dy dështimet më të mëdha të shërbimeve të tyre, krahas Irakut," tha Bregu. Duke u bazuar në studimet e tij dhe dokumente të ndryshme, ai shpjegoi mekanizmin se si funksiononte rrjedha e informacionit. Kim Philby, si ndërlidhës i MI6 me CIA-n në Uashington, kishte akses në të gjitha detajet e operacioneve, përfshirë datat, vendet e zbarkimit, armatimin dhe itineraret e diversantëve. Këtë informacion ai ia kalonte Moskës.

Prej andej, KGB-ja udhëzonte këshilltarët sovjetikë që ishin të pranishëm në çdo degë të Sigurimit të Shtetit në Tiranë. Për të mos lënë gjurmë, këto informacione jepeshin vetëm verbalisht. "Këshilltarët sovjetikë u jepnin urdhra me gojë drejtuesve shqiptarë.

Prandaj sot nuk gjejmë dokumente të shkruara që lidhin drejtpërdrejt Philby-n me kapjen e grupeve," shpjegoi Bregu. Ai përmendi edhe një deklaratë të hershme të Mehmet Shehut, i cili në një mbledhje të Ministrisë së Brendshme, i kishte dhënë meritën Sigurimit të Shtetit, duke anashkaluar rolin e Philby-t, një fakt që në atë kohë ishte i panjohur për shumicën në Shqipëri.

Bregu, duke folur nga përvoja e tij si ish-oficer, zbuloi se logoja ikonike e Sigurimit, syri vigjilent, ishte një krijim i piktores së njohur Safa Marko, bashkëshortes së Petro Markos. Më tej, ai theksoi rolin dominues të këshilltarëve sovjetikë pas prishjes me Jugosllavinë.

"Në çdo degë të aparatit qendror të Sigurimit kishte nga një këshilltar sovjetik. Ata drejtonin gjithçka, por kishin urdhër nga Moska që të gjitha udhëzimet t'i jepnin vetëm me gojë, për të mos lënë gjurmë," tha Bregu. Kjo praktikë, sipas tij, e bën të vështirë sot gjetjen e provave të shkruara për ndërhyrjen e tyre direkte. Bregu preku edhe debatin nëse Sigurimi i shërbente shtetit apo Partisë Komuniste.

"Teoria ishte se i shërbente shtetit dhe kombit, por në praktikë, mbronte regjimin në fuqi. Gjithçka kontrollohej nga partia," pohoi ai, duke sjellë shembullin e një bisede me Feçor Shehun, i cili i ishte përgjigjur një oficeri të shqetësuar me fjalët: "Ti bëj detyrën tënde, për të tjerat e di partia". Kjo dëshmon për një politizim të thellë të institucionit, ku besnikëria ndaj partisë shpesh tejkalonte detyrën profesionale./dritare.net