
Arjan Ndoja dëshmon në GJKKO: Ende nuk di pse u qëllova
Dritare.net
Ish-prokurori dhe deputet i Partisë Demokratike i dalë nga zgjedhjet e 11 majit, Arjan Ndoja, ka dëshmuar sot si dëshmitari i parë në procesin gjyqësor që po zhvillohet në GJKKO ndaj Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçes, të akuzuar për atentatin ndaj tij në nëntor të vitit 2019, pranë mbikalimit të Shkozetit.
Ndoja tregoi në sallën e gjyqit detaje të minutave para dhe gjatë atentatit. Ai deklaroi se atë ditë kishte drekuar me Aleksandër Lahon (i njohur si "Rrumi i Shijakut") dhe Enver Shabën, dhe më pas ishte nisur drejt mbikalimit ku ndodhi sulmi me armë zjarri ndaj automjetit të tij. Sipas tij, automjeti u qëllua me dy armë të ndryshme dhe vetëm në vendin ku qëndronte ai u gjetën 13 predha.
Ndoja pohoi se nuk e njeh mirë Julian Meçen, por ka pasur marrëdhënie me babain e tij. Ndërsa me Dervishajn është takuar vetëm një herë. Ai tha se ende nuk di shkakun e atentatit: “Nëse i kam borxh dikujt, dua ta di dhe t’ia shlyej”.
Ngjarja ndodhi më 1 nëntor 2019, ku në automjet me Ndojën ndodheshin Aleksandër Laho, një person me precedentë penalë, dhe Andi Maloku, ish-polic e shofer i Ndojës, i cili humbi jetën nga të shtënat. Të shtënat, sipas dëshmisë, zgjatën rreth 10 sekonda dhe ndodhën ndërsa automjeti kalonte në afërsi të një karburanti në zonën e Shkozetit.
Dy të pandehurit, Dervishaj dhe Meçe, u ekstraduan nga Dubai në vitin 2024, pas zbardhjes së komunikimeve përmes aplikacionit “SkyECC”, që çuan në identifikimin e autorëve të atentatit.
Në proces është thirrur të dëshmojë edhe Halit Valteri, ish-deputet, i cili në vitin 2020 publikoi një video të ngjarjes dhe bëri deklarata të forta në media.
Procesi ndaj atentatit ndaj Arjan Ndojës shihet si një nga dosjet më të rëndësishme që ndërlidhen me krimin e organizuar dhe zyrtarë të drejtësisë në Shqipëri./L.F-dritare.net

















