Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ambasadori i BE-së i përgjigjet Sali Berishës!

Ambasadori i BE-së i përgjigjet Sali Berishës!

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato i është përgjigjur Sali Berishës për deklaratën se nuk mund t’i imponojë shoqërisë shqiptare bindjet e tij personale, duke iu referuar projektligjit për barazinë gjinore. Deklarata, e bërë gjatë seancës së kaluar parlamentare, nxiti reagime në Kuvend por edhe në Bruksel.

Në një intervistë për Top Story, ambasadori i BE-së e cilësoi deklaratën si të pakëndshme për jetën personale, duke shtuar se e papranueshme ishte “nënkuptimi se po bëja gjëra si ambasador për shkak të historisë sime personale”.

“Mendoj se është koha të kthejmë faqen, për të qenë i sinqertë. Në nivel personal, deklaratat që janë bërë në atë rast, por edhe në raste të tjera në lidhje me jetën time private, do t’i përkufizoja thjesht si të pakëndshme, për të qenë i sinqertë. Dhe ato nuk më prekin edhe aq shumë. E dini, unë jam i rritur, siç thatë edhe ju, një burrë i moshuar. Unë i di zgjedhjet e mia, i kam bërë dhe u qëndroj besnik. Nuk kam pse të justifikoj asgjë. Ajo që më shqetësoi në atë rast ishte nënkuptimi se për shkak të këtyre zgjedhjeve personale, këto zgjedhje personale po më turbullonin gjykimin dhe se po bëja gjëra si ambasador i BE-së për shkak të historisë sime personale. Kjo është diçka që nuk mund ta pranoja, sepse besoj se po e bëj punën time në mënyrë profesionale, me integritet. Dhe kështu isha vërtet i lumtur që shefja ime, Komisionerja Kos, ndërhyri dhe tha se kishte besim të plotë tek unë dhe kjo është e gjitha që më duhej. Nuk kam nevojë për asgjë tjetër. Nuk kam nevojë për ndonjë komision që të thotë nëse kjo ishte e drejtë apo e gabuar.”, tha ambasadori.

Ambasadori dha edhe një mesazh në ‘emër’ të BE-së teksa tha se nëse preket sistemi i drejtësisë, “kompromentoni shanset tuaja për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”.

“Por qartë, mesazhi që vjen nga Brukseli është se nëse e bëni këtë, atëherë i kompromentoni shanset tuaja për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sepse, siç e kemi thënë vazhdimisht, reforma në drejtësi me arkitekturën është vendosur, dhe kjo është një kërkesë absolute.”, shtoi ai.

Ndalur te integrimi në BE, Gonzato theksoi se progresi i Shqipërisë ka qenë pozitiv në plotësimin e grupkapitujve në një periudhë të shkurtër kohore, por shtoi se është e nevojshme që të ketë zbatim.

“Ne i përfunduam të gjithë kapitujt në një periudhë relativisht të shkurtër kohore, pak më shumë se një vit. Pra, kjo është pozitive. Kjo tregon gjithashtu se shtetet anëtare në Bruksel duan të jenë të hapura ndaj ambicies së Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Por, siç e thashë në konferencën për shtyp dhe siç vazhdoj ta them edhe tani, ky është momenti kur ne testojmë aftësinë dhe gatishmërinë e Shqipërisë për të kryer reformat. Sepse për të mbyllur kapitujt, nuk duhet vetëm të miratosh letrat për të cilat po flisja, por edhe t’i zbatosh ato. Dhe kjo është arsyeja pse do të vazhdoj të flas për zbatimin, zbatimin, zbatimin.”, shtoi ai.