Na ndiqni edhe në

Emisionet

Adriana Kalaja: Berisha nuk duhet të largohet, ai e mban të mbledhur Partinë Demokratike!

Adriana Kalaja:  Berisha nuk duhet të largohet, ai e mban të mbledhur

Adriana Kalaja bëri një analizë të ashpër të gjendjes së Partisë Demokratike, duke theksuar se problemet e saj nuk lindën me rezultatin e 11 majit, por kanë rrënjë më të thella. Sipas saj, pika e kthesës negative ishte marrëveshja Rama-Basha e vitit 2017, e cila çoi në një shthurje të strukturave dhe largimin e 250,000 votuesve demokratë në zgjedhjet e atij viti.

Më tej, ajo e cilësoi si një gabim maksimal miratimin e Kodit Zgjedhor me lista të mbyllura dhe votën e paqartë të diasporës, vendime për të cilat ajo kishte paralajmëruar. Kalaja kritikoi ashpër pasivitetin e PD-së gjatë verës pas zgjedhjeve, duke theksuar se ndërsa ajo dhe Sali Berisha denonconin farsën zgjedhore, pjesa tjetër e partisë "ishte bosh". Ajo zbuloi se brenda kryesisë ka pasur zëra kundër protestave, duke lënë të kuptohet se disa preferojnë "rahatin" e mandatit të deputetit.

Gjithashtu, ajo e quajti "veprim të gabuar" dhe "shkelje statuti" mënyrën se si u trajtuan primaret dhe se si figura si Gazment Bardhi u katapultuan në poste drejtuese pa votë, ndërkohë që kandidatë të tjerë u përjashtuan padrejtësisht. Sipas saj, partia nuk mund të flasë për hapje ndërkohë që postet mbahen nga të njëjtit njerëz dhe nuk respektohen rregullat e brendshme.

Në një moment kyç të intervistës, Kalaja u pozicionua qartë në mbrojtje të lidershipit të Sali Berishës në Partinë Demokratike. E pyetur nëse ka ardhur koha që Berisha të largohet pas humbjeve të njëpasnjëshme, Kalaja u përgjigj me një "jo" të prerë.

Sipas saj, "Partinë Demokratike e mban të mbledhur vetëm Sali Berisha". Ajo argumentoi se mandati aktual i Berishës si kryetar partie nuk është konsumuar plotësisht, pasi ai ka qëndruar 333 ditë në arrest shtëpie dhe nuk e ka ushtruar funksionin. Duke iu referuar statutit që parashikon largimin e kryetarit pas humbjes së zgjedhjeve, Kalaja theksoi se zgjedhjet e fundit nuk ishin humbje, por "vjedhje dhe manipulim". Ajo kritikoi ashpër ata që e sulmojnë Berishën pas shpine, duke thënë se shumë prej tyre i servilosen kur e takojnë.

"Unë jam përballur, i kam thënë 'kjo është e gabuar, kjo është e drejtë'", deklaroi Kalaja, duke e përshkruar Berishën si një lider që të dëgjon dhe që, edhe kur nuk është dakord, ta argumenton pse ke gabim. Për të, në situatën aktuale, largimi i Berishës nuk është zgjidhja, por përkundrazi, ai duhet të vazhdojë betejën që ka nisur për hapjen reale të partisë dhe reagimin opozitar./dritaqre.net