Sekretet e shitjes së një filmi/ Rrëfimi i producentit shqiptar që 'pushtoi' Netflix-in dhe tregun arab
Dritare.net

Në botën komplekse të kinematografisë, prodhimi i një filmi është vetëm gjysma e betejës. Pjesa tjetër, shpesh më e vështira, është shitja dhe distribucioni. Producenti Andi Deliana, me përvojën e tij të gjerë në tregun amerikan, zbardh mekanizmat që fshihen pas këtij procesi.
Për një film independent si "Misioni", hapi i parë është prezantimi në festivale, pasuar nga angazhimi i agjentëve të shitjes (sales agents) që kanë lidhjet me distributorët globalë. Ky proces, sipas Delianës, kërkon njohuri të thellë për të mos e "dezvalorizuar" filmin.
Ai sjell si shembull suksesin e tij të papritur me një film komedi arab, një produksion që ai e mori përsipër në një fazë të vështirë dhe që askush nuk besonte se do të ecte. "Nuk besoja që filmi do ecte, filmi eci jashtëzakonisht shumë mirë nga ana komerciale," tregon ai.
Sekreti i suksesit?
Njohja e tregut. Duke synuar një audiencë prej 1 miliard njerëzish që flasin arabisht dhe duke ofruar një produkt të rrallë – një komedi me efekte speciale – filmi arriti një fitim prej 300% të buxhetit fillestar. Kjo eksperiencë i shërbeu për të kuptuar fuqinë e formulave komerciale dhe e çoi deri te shitja e të drejtave në platforma si Netflix.
"Unë kam punuar, kam bërë shitje përpara deri në Netflix dhe e njoh si procedurë," pohon Deliana, duke dëshmuar se përtej artit, kinematografia është edhe një biznes që kërkon strategji dhe nuhatje të tregut./dritare.net


