Thoma Deliana, ministri që përfundoi bari! Flet nipi
Dritare.net

Një nga rrëfimet më frymëzuese të Andi Delianës është ai për xhaxhain e tij, Thoma Deliana, një figurë komplekse e historisë shqiptare. Ish-ministër i Arsimit dhe Kulturës, i njohur për reformat e tij dhe i vlerësuar nga breza të tërë mësuesish, jeta e tij mori një kthesë dramatike pas goditjes nga regjimi.
Pasi u shkarkua dhe u internua, Thoma Deliana bëri një zgjedhje radikale. I caktuar fillimisht si drejtor shkolle në Tepelenë, por i përballur me intriga dhe keqkuptime, ai vendosi të tërhiqej plotësisht. "Për t'i shpëtuar provokimeve, vendosi të ikë e bëjë bari," tregon nipi i tij.
Ky nuk ishte një ndëshkim, por një akt i vetëdijshëm rezistence dhe dinjiteti. "U bë bari me vetëdije," thekson Andi Deliana. Për vite me radhë, ish-ministri jetoi në malet e Dhëmblanit, duke ruajtur bagëtitë, duke lexuar nga biblioteka e tij e jashtëzakonshme (kryesisht në frëngjisht) dhe duke gjetur një formë lirie në natyrë, larg intrigave dhe survejimit të pushtetit. Kjo periudhë, sipas tij, nuk ishte një kohë humbjeje, por reflektimi.
"Unë nuk e kam parë internimin si të tillë, e kam parë si një moment ku unë jam reflektuar për veten time," i kishte rrëfyer ai nipit të tij. Historia e Thoma Delianës mbetet një dëshmi e fuqishme e qëndresës intelektuale dhe njerëzore përballë një sistemi totalitar.
Historia
Ndryshe nga ministrat e tjerë që regjimi komunist penalizoi në vitet ’70, Thoma Deliana pati fatin të mos kalojë para skuadrës së pushkatimit, si mjaft nga kolegët e tij. I kryqëzuar në forumet e Partisë nga Enver Hoxha dhe të tijtë për frymë liberale dhe mungesë vigjilence, njeriu që drejtoi për 15 vite dikasterin e arsimit, përfundoi bari me lopë në një zonë të skajshme të rrethit të Tepelenës. Deliana vinte te kjo dramë pas një jete plotë tallaze dhe një karriere të suksesshme në strukturat drejtuese të Partisë e të shtetit komunist.
I lindur në vitin 1925, në lagjen “Kala” të Elbasanit dhe i arsimuar në “Normalen” e qytetit, ai u rreshtua në lëvizjen antifashiste në moshë fare të re. Për veprimtarinë e spikatur në betejat me pushtuesit në Kongresin e Parë të Rinisë Antifashiste, që u zhvillua në Helmës të Skraparit, u zgjodh anëtar i Këshillit Qendror të Rinisë Antifashiste Shqiptare dhe në shtator të vitit 1944 u zgjodh kryetar i Rinisë së qarkut të Elbasanit dhe anëtar të Kryesisë së Këshillit Antifashist të vendit. Pas çlirimit, iu besuan detyra e përgjegjësi të rëndësishme, fillimisht në Komisionin e Planit të Shtetit, në aparatin e Komitetit Qendror dhe pas përfundimit të studimeve për filozofi në Moskë, u zgjodh sekretar i Parë i KP të rrethit të Elbasanit dhe anëtar i KQ të Partisë.
Në tetor të vitit 1961 u emërua zv.ministër i Arsimit dhe pak më vonë ministër i Arsimit dhe Kulturës, detyrë që e kreu me sukses deri në vitin 1975, kur u përjashtua nga Partia dhe u dënua për frymë antiparti dhe qëndrime oportuniste.
Në dënimin e Thoma Delianës u përfshi edhe çështja e ish-zv.ministrave Hasan Duma e Mantho Bala, të cilët u akuzuan për imoralitet, ndërkohë që ai i mbrojti, duke vlerësuar të pavërteta denoncimin e letrave anonime. Fillimisht, e dërguan si drejtor shkolle në Sinanaj, në Dhëmblan të Tepelenës.
Më pas e detyruan të bëhej blegtor, bari lopësh. Në 1987 u kthye në Elbasan, si pensionist./dritare.net

