Na ndiqni edhe në

Shqip

Andi Deliana: Nga Hollivudi te rrëfimet e pathëna të diktaturës dhe bota e gangsterëve!

Andi Deliana: Nga Hollivudi te rrëfimet e pathëna të

Në një intervistë ekskluzive për Dritare TV me Rudina Xhungën, skenaristi, regjisori dhe producenti shqiptaro-amerikan Andi Deliana, ndau detaje të jashtëzakonshme nga jeta dhe karriera e tij e pasur, një rrugëtim që e ka çuar nga Shqipëria e viteve '90 drejt Francës, Kanadasë dhe majave të kinematografisë në New York. Ai foli për projektet e tij më të fundit, përfshirë filmin "Misioni" me yllin e Hollivudit William Baldwin, dhe zbuloi prapaskena nga bota e filmit, duke prekur tema delikate si historia e Ali Pashës, trashëgimia e Ismail dhe Elena Kadaresë, dhe figura enigmatike e ish-ministrit të Arsimit, Thoma Deliana.

Rrugëtimi i tij nisi herët, me një dëshirë për t'u larguar që në kohën e komunizmit, e cila u konkretizua në fillim të viteve '90. Fillimisht në Francë, ku u mbështet nga një familje franceze që i dha shtysën e parë, më pas në Kanada ku mori dhe pasaportën, e në fund në Shtetet e Bashkuara, ku prej më shumë se 20 vitesh jeton dhe punon në New York. Deliana është sot një emër i njohur, duke përfshirë edhe një karrierë të gjatë si pedagog në prestixhiozen "New York Film Academy". Një nga pikat kulmore të bisedës ishte diskutimi për filmin e tij të fundit, me titull origjinal "My Mother is a Cosmonaut" dhe titull shqip "Misioni".

Një produksion ndërkombëtar i xhiruar kryesisht në Shqipëri, por edhe në New York e Bullgari, filmi sjell në kast emra si William Baldwin dhe yllin spanjoll Natalia Sanchez. Duke folur për sfidat e realizimit të një filmi independent, Deliana shpjegoi kompleksitetin e tregut të sotëm, nga festivalet te shitja në platforma si Netflix, duke ndarë eksperiencën e tij me prodhimin e një komedie të suksesshme për tregun arab, e cila arriti një fitim prej 300%. Deliana preku edhe një temë me interes të madh për publikun shqiptar: projektin për një serial mbi jetën e Ali Pashë Tepelenës. Ai zbuloi se Ali Pasha, si personazh, është më interesant dhe më i "shitshëm" për një serial ndërkombëtar sesa vetë Skënderbeu, për shkak të jetës së tij 80-vjeçare plot intriga dhe aftësisë për të gjeneruar disa sezone. Projekti, megjithëse i ndërprerë nga pandemia, mbetet një ambicie e madhe.

Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua edhe botës së errët të krimit. Deliana, përmes punës së tij për dokumentarin "The Perfect Gangster", ka hyrë thellë në botën e mafies italo-amerikane, duke intervistuar figura si djali i John Gotti-t, Sammy 'The Bull' Gravano dhe veçanërisht John Alite, një gangster me origjinë shqiptare. Ai rrëfeu se si bosët e mafias vlerësonin jashtëzakonisht besnikërinë e shqiptarëve, duke i konsideruar të vetmit që ishin të ngjashëm me ta në kodin e tyre. Në një moment personal dhe emocional, Deliana foli për historinë e xhaxhait të tij, Thoma Deliana, ish-ministër i Arsimit gjatë regjimit komunist.

Ai zbuloi se si Thoma Deliana u bë viktimë e luftës së klaneve brenda Partisë së Punës, duke u akuzuar dhe më pas internuar për shkak të reformës së tij për futjen e sistemit 9-vjeçar, i konsideruar si 'liberal' dhe me influencë franceze. Historia kulmon me vendimin e tij për t'u bërë bari në Dhëmblan të Tepelenës, një zgjedhje e vetëdijshme për t'i shpëtuar provokimeve dhe për të gjetur qetësinë. Biseda u mbyll me një vështrim mbi dy figurat më të mëdha të letërsisë shqipe, Ismail dhe Elena Kadare.

Deliana zbuloi se po punon për një përshtatje filmike të librit të Elena Kadaresë, "Kohë e pamjaftueshme", duke e cilësuar marrëdhënien e tyre si një simbiozë artistike ku pa Elenën, vepra e Kadaresë nuk do të ishte e njëjtë. Intervista e Andi Delianës ofroi një panoramë të rrallë të një shqiptari të suksesshëm që lundron mes botës së Hollivudit dhe rrënjëve të tij, duke sjellë në dritë histori të fuqishme që meritojnë të tregohen në ekranin e madh./dritare.net