Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Incidenti i Kanalit të Korfuzit: Artur Meçollari zbardh prapaskenat e ngjarjes!

Incidenti i Kanalit të Korfuzit: Artur Meçollari zbardh prapaskenat

Në një analizë të thelluar historike në emisionin "Dekalog" të Roland Qafokut në DritareTv eksperti Artur Meçollari, autor i librit "Incidenti i Kanalit të Korfuzit, drejtësi e anuar", zbardhi detaje tronditëse rreth ngjarjes së 22 tetorit 1946, e cila shënoi një pikë kthese dramatike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, duke e zhytur vendin në një izolim thuajse 50-vjeçar.

Incidenti, i cili rezultoi në vdekjen e 44 marinarëve britanikë dhe plagosjen e 42 të tjerëve pasi dy luftanije britanike ranë në mina në ujërat territoriale shqiptare, u cilësua nga Meçollari jo si një "incident", por si një "provokacion" dhe një "masakër" e mirëfilltë. Sipas tij, ngjarja ishte kulmi i një sërë zhvillimesh të tensionuara politike në rajon.

Konteksti përfshinte Luftën Civile në Greqi, ku Shqipëria mbështeste komunistët, dhe një para-ngjarje të rëndësishme më 15 maj 1946, kur bateritë bregdetare shqiptare hapën zjarr paralajmërues ndaj anijeve britanike, duke çuar në një urdhër të qeverisë shqiptare për ndalimin e kalimit paqësor.

Teza qendrore e paraqitur nga Meçollari është se minimi i kanalit nuk ishte vepër e Shqipërisë, por një komplot i orkestruar nga Jugosllavia e Titos, me dijeni ose edhe miratim të heshtur të Enver Hoxhës.

Sipas tij, qëllimi i Jugosllavisë ishte të arrinte aneksimin de-facto të Shqipërisë duke e izoluar plotësisht atë si nga Lindja (përmes kontrollit të Stalinit), ashtu edhe nga Perëndimi. Ky incident do të shkëpuste përfundimisht çdo lidhje diplomatike me Britaninë e Madhe dhe SHBA-në. Dëshmitë mbështesin këtë teori: minat e gjetura gjatë operacionit të çminimit britanik në nëntor 1946 ishin të tipit gjerman (GY), të cilat Jugosllavia i kishte marrë si plaçkë lufte dhe nuk ishin në arsenalin shqiptar.

Gjithashtu, një radiogram i kohës nga komandanti i bazës së Sazanit, Mevlan Dervishi, raporton ardhjen e tre anijeve jugosllave në Sarandë më 17 shtator, data që përkojnë me periudhën kur mendohet se u vendosën minat.

Një tjetër element misterioz i shtuar në këtë enigmë është zbulimi i një anijeje të paidentifikuar dhe të padeklaruar, të fundosur në gjirin e Butrintit, e cila ka ende mina në bord. Meçollari spekulon se kjo mund të jetë një nga anijet minahedhëse jugosllave të përdorura në operacion, e cila u fundos për të fshirë gjurmët. Pas ngjarjes, Britania e Madhe e paditi Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila e shpalli fajtore dhe e dënoi me një gjobë të majme. Shqipëria refuzoi ta paguante, çka solli sekuestrimin e arit shqiptar nga Britania. Ky episod vulosi fatin e Shqipërisë, duke e shtyrë në një izolim të thellë që do të zgjaste deri në rënien e regjimit komunist./E.P-dritare.net