Deputetët të hyjne në grevë urie bashkë me familjarët. Ja propozimi!
Dritare.net

Në mbledhjen e zhvilluar me drejtuesit e degëve të Partisë Demokratike, të thirrur nga kryetari Sali Berisha janë zhvilluar diskutime të ashpra për mënyrën se si opozita duhet të reagojë përballë situatës aktuale politike dhe mungesës së besimit të qytetarëve.
Burime nga takimi bëjnë të ditur se një pjesë e krerëve të degëve kanë kërkuar që PD të ndërmarrë veprime më të forta, duke përfshirë edhe një grevë urie ku të marrin pjesë jo vetëm deputetët, por edhe familjarët e tyre.
“Besimi i qytetarëve ndaj politikës është në nivelin më të ulët, sidomos ndaj PD-së. Protestat e deritanishme nuk kanë sjellë rezultat. Duhet një sakrificë reale për të rikthyer besimin – grevë urie nga deputetët dhe familjet e tyre para Kuvendit,” mësohet të ketë deklaruar një nga drejtuesit e pranishëm.
Nga ana tjetër, Sali Berisha nuk e ka përjashtuar këtë ide, por propozuar organizimin e një proteste çdo javë para Kuvendit, gjatë ditëve kur zhvillohen seancat parlamentare.
“Keni të drejtë në shqetësimet dhe propozimet tuaja. Nuk i hedh poshtë asnjërën, por duhet të kemi parasysh se jetojmë në një regjim të kapur nga droga dhe korrupsioni. Duhet të kemi një protestë të vazhdueshme, si ajo para Bashkisë, një herë në javë para Kuvendit,” është shprehur Berisha./dritare.net