Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

34 vite PS, Rama: Fitorja e 11 majit na jep përgjegjësinë për integrimin në BE

34 vite PS, Rama: Fitorja e 11 majit na jep përgjegjësinë

Partia Socialiste festoi 34-vjetorin e themelimit me një ceremoni në selinë rozë, që bashkoi gjeneratën e re të socialistëve me figurat historike të partisë, si Et’hem Ruka, Gramoz Ruçi dhe Arta Dade. Por për kryeministrin Edi Rama, kjo nuk ishte thjesht një festë përvjetori. Në fjalën e tij, Rama e quajti këtë “ditëlindjen europiane” të PS-së, një simbol të një fitoreje të jashtëzakonshme më 11 maj dhe një përgjegjësi të madhe për rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Ditëlindja që bëhet e veçantë si rezultat i faktit që vjen pas një fitoreje domethënëse të PS, një fitoreje e cila vjen me një përgjegjësi më të madhe se asnjëherë tjetër, përveç faktit që u mishërua si rezultat i një mbështetje më të madhe se asnjëherë tjetër për PS,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se fitorja e fundit është një mandat besimi që kërkon reflektim dhe përmirësim të vazhdueshëm të qeverisjes, me qëllimin përfundimtar: anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade.

“Shumë gjëra duhen bërë më mirë në kushtet kur kjo fitore është e lidhur me një mandat besimi të jashtëzakonshëm për të udhëhequr vendin dhe për ta anëtarësuar Shqipërinë në BE, brenda kësaj dekade,” theksoi ai.
Përgjegjësinë e këtij mandati, Rama tha se nuk e shmangin, por përkundrazi, e përqafojnë si arsye kryesore të sukseseve të vazhdueshme të PS-së.

“Ne nuk i jemi frikur dhe sigurisht nuk i jemi shmangur askund përgjegjësive që vijnë me fitoren, dhe kjo është, besoj, arsyeja kryesore pse ne nuk lodhemi së fituari, pasi nuk lodhemi së ngarkuari veten me përgjegjësi dhe së reflektuari mbi çfarë mund të bëjmë më mirë,” tha kryeministri.
Ai kishte një mesazh të qartë edhe për deputetët e rinj të zgjedhur më 11 maj, duke e cilësuar grupin e ri parlamentar si “skuadër mbështetëse dhe premtuese” për sfidën e integrimit.

“Parlamenti do të duhet të bëhet shtylla kryesore e procesit të anëtarësimit. Vlerat kryesore të kësaj force janë burimet e veta njerëzore,” deklaroi Rama.
Në takim nuk munguan batutat dhe nota personale me figurat e vjetra të PS-së. Duke iu drejtuar Arta Dades dhe Gramoz Ruçit, Rama tha:

“Zyshe ty shyqyr që të kemi. Edhe shokun Gramoz, që sa kohë do ta shoh këtu jam i sigurt që partia është në rrugë e duhur. Shqetësohuni ditën kur do mungojë Gramozi, po atëherë s’do jem as unë, kështu që shihni e bëni.”
Partia Socialiste mbetet forca politike që ka qeverisur më gjatë vendin në 34 vite pluralizëm: 8 vite nga 1997 deri në 2005 dhe 12 vite të pandërprera që prej 2013-ës nën drejtimin e Edi Ramës, i cili tashmë ka siguruar mandatin e katërt qeverisës dhe drejtimin e vendit deri në vitin 2029. Në total, socialistët kanë qenë në pushtet për 20 nga 34 vitet e demokracisë./K.C/dritare.net