
15-vjeçarja u zhduk, e reja nga Franca: Çfarë ndodh me shqiptarët këtu!
Dritare.net
Merina Syla, një vajzë 15-vjeçare shqiptare që jeton në Strasbourg ishte zhdukur që prej 14 marsit, por fatmirësisht është gjetur sot. Sipas familjarëve, ajo ishte përballur me dhunë dhe bullizim nga bashkëmoshatarët e saj në shkollë. Emigrantja shqiptare që jeton në Francë, Lolita Hoxha, tregon çfarë ndodhi me Merinën, si e dhunonin në shkollë, denoncimet që kishte bërë prej 2022-shit, dhe çfarë ndodh sot atje me emigrantët shqiptarë.
“Unë kam folur me mamanë e Merinës, e cila më vuri në dispozicion disa dokumente të kallëzimeve penale që janë bërë nga vetë vajza në policinë e Strasburgut, për dhunën që ushtronin bashkëmoshatarët e saj. Në këto deklarata që janë që nga viti 2022 është specifikuar dhuna që i është ushtruar shumë shpesh. Vajza është e rritur dhe lindur në Francë, siç e provon edhe nënshtetësia franceze, gjuhën e flet shumë mirë dhe në shkollë ishte me nota shumë të mira. Ajo vajzë dhunohej prej 4 vitesh. Tani ajo është pranë të ëmës. Në certifikatën mjekësore thuhet që janë të dukshme hematomat që ka në fyt dhe në krahë. Fatkeqësisht në Francë, pavarësisht ligjve të forta që ka, ato nuk ushtrohen. Në rast se shkolla nuk ka reaguar ndaj denoncimeve që ka bërë vajza për dhunën që i është ushtruar edhe në ambientet e shkollës, aëtherë shteti francez duhet të reagojë e të marrë masa. Ky bullizim dhe kjo dhunë psikologjike dhe fizike ushtrohet jo vetëm në shkolla, por edhe në pune, në transporte publike nga ata që i xhelozojnë, por edhe se janë emigrantë. Edhe mua më kanë bullizuar, kur sapo kisha arritur në Francë. Mua më bullizoi mësuesja kujdestare në 9-vjeçare sepse nuk donte që unë të vazhdoja gjimnazin e përgjithshëm. Donte që të ndiqja një gjimnaz profesional dhe të merrja një profesion sepse nuk kishte besim tek unë. Por jam bullizuar edhe nga bashkëmoshatarët e mi, sepse nuk flisja frëngjisht, nuk kuptoja. Ndërsa në orët e anglishtes dhe spanjishtes, i flisja dhe kuptoja, atëherë më bullizonin sepse thoshin si ka mundësi që di anglisht dhe spanjisht dhe nuk di frëngjishten.”, tregon Lolita në DritareTV./K.C/dritare.net

















