Na ndiqni edhe në

Shëndet

Pse keni probleme me gjumin ndërsa plakeni!

Pse keni probleme me gjumin ndërsa plakeni!

A keni probleme me gjumin ndërsa plakeni? Ju nuk jeni vetëm. Shumë njerëz vërejnë ndryshime në gjumin e tyre me kalimin e kohës dhe ka shpjegime shkencore për këtë.

Dr. Shelby Harris, psikologe, shpjegon se faktorë të ndryshëm, si stresi, ndryshimet hormonale dhe ndryshimi natyror në strukturën e gjumit, ndikojnë në cilësinë e tij me kalimin e moshës. “Pas të 50-ave dhe kur i afrohemi të 60-ave dhe 70-ave, gjumi bëhet më i lehtë, gjë që mund të çojë në çrregullime, si pagjumësia dhe zgjimet më të shpeshta gjatë natës, shpesh për të shkuar në tualet.”, thekson Dr.Harris.

Lidhur me thellësinë e gjumit, shkenca sugjeron një shpjegim evolucionar: "Në fazën e thellë të gjumit, muskujt riparohen dhe rriten, një proces që të moshuarit nuk kanë nevojë aq shumë sa të rinjtë. Përveç kësaj, njerëzit e moshuar zgjohen më shpesh për shkak të dhimbjes, lëvizjes ose nevojës për të urinuar.”, shton ajo.
Hulumtimet tregojnë se deri në 70% e njerëzve mbi 65 vjeç përjetojnë probleme kronike të gjumit. Ndryshimet hormonale gjithashtu luajnë një rol, veçanërisht te gratë: “Vëreni më shumë afshe të nxehta dhe djersitje gjatë natës, dhe në fakt, gratë përjetojnë më shumë apnea të gjumit dhe pagjumësi,” thotë Dr. Harris. Studimi përkatës është publikuar në revistën Sleep Medicine Clinics.
Megjithatë, është një mit që të moshuarit kanë nevojë për më pak gjumë. “Nëse një mjek ju thotë se është normale të flini shumë më pak ndërsa plakeni, kërkoni patjetër një mendim të dytë.”, paralajmëron ekspertja.
Si të flemë mirë përsëri!
Përveç mbajtjes së një mjedisi të freskët, të errët dhe të qetë, Dr. Harris sugjeron praktikat e mëposhtme:
-Kufizoni gjumin gjatë ditës. Nëse dëshironi të flini më mirë gjatë natës, reduktoni dremitjet gjatë ditës.
-Provoni meditimin. “Nëse jeni të ngarkuar mendërisht, edhe pesë minuta meditim gjatë ditës mund t’ju ndihmojnë të relaksoheni më shumë gjatë natës”, sugjeron ekspertja.
-Mbani një orar të qëndrueshëm të gjumit. Konsistenca në kohën e gjumit ndihmon në rregullimin e ritmit cirkadian.
Nëse problemet e gjumit vazhdojnë për javë të tëra, është e rëndësishme të konsultoheni me një specialist. “Ka shumë trajtime në dispozicion, siç është terapia konjitive e sjelljes për pagjumësinë. Në disa raste, mund të nevojitet një studim gjumi ose mjekim. “Ka shumë opsione”, përfundon Dr. Harris./K.C/dritare.net