Na ndiqni edhe në

Editorial

Një lepur që nuk vlen 6 milionë!

Një lepur që nuk vlen 6 milionë!

Nga Dritan Hila

La Civita e nxori lepurin nga kapelja. Mesa duket magjia e tij paska qenë deri këtu: Një situatë ambigue, e mjegullt, ku gazetari i një portali, ka pyetur dikë në Departamentin e Shtetit, ku ky dikush nuk është cituar nga gazetari por është lënë nën termin e përgjithshëm të institucionit.

Fundja Shqipëri hesapi, ka menduar, lëshoje bajgën dhe bëj tutje, ndaj edhe disa ore më vonë po Caputo shkruante në Twiterin e tij “I got people arguing in Albanian in my @s” që ka dashur të thotë “po me çajnë trapin shqiptarët në statusin tim”.

Stafi i LaCivitës ia ka dalë të prodhojë mjegull gjysmë dite, duke hedhur në treg këtë lajm, i cili në realitet nuk thotë asgjë.

Po, nëse zgjidhet kryeministër, Berisha mund të shkojë në Nju-Jork në selinë e OKB-së, por nuk mund të hajë as një hamburger jashtë territorit që i njeh ekstraterritorialiteti i OKB-së. Kaq gjë e dinim. Por Berisha vazhdon dhe mbetet non-grata.

Në konferencat e fundit për shtyp Departamenti i Shtetit merrej edhe me përkujtimin e dy diplomatëve që kishin ndërruar jetë, por nuk e citonte askund Berishën. Nuk ka një urdhër presidencial e as deklaratë të Departamentit të Shtetit që ia heq non-gratën.

Gjithë ajo që prodhoi LaCivita ishte një karikim tjetër për militantët, por këtë e bën më mirë Berisha. E gjitha ishte në vazhdën e mufkave që lëshojnë çdo ditë punonjësit e selisë së PD-së, por nga LaCivita pritej më shumë sesa lajme qorre. Mesa duket stafi i LaCivitës futen tek ai 80% i amerikanëve që as e kanë idenë se çfarë është bota dhe ku bien kontinentet dhe shtetet.

Për fat shqiptarët tashmë nuk janë ata të 91-shit. Një popull që ka mbijetuar 3.000 vjet i njeh shejtanllëqet më mirë se stafi i LaCivitës. Kaq duhet t’ia kishin thënë kur e paguan./dritare.net