
Mbrojtja Civile: Mbi 700 vullnetarë dhe efektivë po kërkojnë për 29-vjeçarin. Ende pa rezultate
Dritare.net
Rreth 500 vullnetarë, mbi 100 anëtarë të Forcave të Armatosura, punonjës nga Policia e Shtetit dhe një grup nga Kosova po kërkojnë për gjetjen e 29-vjeçarit të mbuluar nga rrëshqitja e një masivi dheu në zonën e Klosit.
Kërkimet kanë hyrë në ditën e pestë, por ende nuk ka asnjë rezultat, njofton Ministria e Mbrojtjes, kjo për arsye se rrëshqitja ka qenë aq e madhe sa ka përshkuar një distancë prej 2 kilometrash dhe gjurmë të dherave janë gjetur deri në 6 kilometra larg.
Njoftimi!
"Më datë 03 maj 2025, rreth orës 14:30, në zonën e quajtur “Qafa e Burrelit”, afër fabrikës së përpunimit të kromit në bashkinë Klos, ka ndodhur një rrëshqitje masive dheu në një distancë prej rreth 2 km. Gjatë këtij momenti, në vendngjarje ishte duke punuar me ekskavator një punonjës i një kompanie private që ushtron aktivitet në fushën e shfrytëzimit të mineraleve. Si pasojë e rrëshqitjes, punëtori është zënë dhe mbuluar nga masivi i dheut dhe inerteve.
Forcat e angazhuara në operacionin e kërkim-shpëtimit:
Që nga dita e parë, në vendngjarje janë angazhuar struktura dhe mjete të shumta për gjetjen e trupit të punonjësit:
* Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM): 74 punonjës dhe pajisje speciale si kamera termike dhe skaner nëntokësor.
* Forcat e Armatosura: 115 forca nga reparti ushtarak 1013 Burrel, 12 efektivë nga Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile (BMEC) me pajisje speciale për kërkim-shpëtim në rrënoja, 24 efektivë nga kompania EOD (Batalioni i Xhenios), të pajisur me pajisje për detektimin e metaleve.
* Policia e Shtetit: 24 efektivë.
* Urgjenca Mjekësore: E pranishme në vendngjarje për ndihmën e nevojshme.
* Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore: 6 punonjës.
* Vullnetarë: 535 qytetarë dhe 2 ekskavatorë që janë duke punuar intensivisht në një pjesë të zonës ku ka ndodhur rrëshqitja.
* Strukturat lokale: Të angazhuara janë strukturat e pushtetit vendor të Bashkisë Klos, Bashkisë Mat dhe Prefekturës Dibër.
Mbështetja ndërkombëtare:
Me koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, për shkak të kompleksitetit të operacionit dhe vështirësisë së terrenit, më datë 06.05.2025, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, është kërkuar mbështetje nga Kosova me forca të specializuara për kërkim-shpëtim.
Më datë 07.05.2025, një ekip i specializuar i Kërkim-Shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga 12 efektivë dhe 2 qen të trajnuar për gjetjen e personave nën rrënoja, është bashkuar me operacionin në terren.
Kushtet në terren:
Sipas vlerësimeve në terren dhe diskutimeve me drejtuesit operativë, rrëshqitja ka përshkuar një distancë rreth 6 km në një terren shumë të vështirë për ndërhyrje dhe kërkim. Në një segment të terrenit, rreth 500 metra nga pika e rrëshqitjes pranë fabrikës së pasurimit të kromit, janë futur dy ekskavatorë për të ndihmuar në gërmimin dhe gjetjen e trupit.
Koordinimi i operacionit:
Operacioni po drejtohet nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat qendrore dhe vendore.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat operacionale mbeten të angazhuara maksimalisht deri në përfundimin e operacionit dhe lokalizimin e personit të humbur.", thuhet në njoftim./K.C/dritare.net

















