
Fjala e plotë e kryeministrit Rama, në aeroportin e ri të Vlorës!
Dritare.net
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VLO), një prej investimeve strategjike për turizmin dhe ekonominë shqiptare, u realizua sot fluturimi i parë certifikues, që u prit me interesim në një event të posaçëm, ku ishte i pranishëm Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama, Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe punonjës të rinj, pjesë e stafit të aeroportit e të ftuar të shumtë nga Kosova dhe ku më pas mbërriti nga një tjetër fluturim zoti Behgjet Pacolli.
“Dua të shpreh besimin se kjo shqiponjë dy krenare që është krijuar në trupin e aeroportit të Vlorës me burime njerëzore nga Kosova dhe nga Shqipëria do ta ngrejë shumë lart emrin e këtij aeroporti për cilësinë e shërbimit, për sigurinë dhe natyrisht edhe për nivelin e buzëqeshjes që e pashë sot me shumë kënaqësi.” – u shpreh kryetari i PSSH Edi Rama në fjalën e tij përshëndetëse.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VLO) do të jetë porta e hyrjes në Jugun e Shqipërisë. Ky aeroport do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit dhe do të transformojë Jugun e Shqipërisë në një hotspot turistik, të aftë për të tërhequr investime të huaja direkte në sajë të një aeroporti të vendosur më pak se 1 orë larg atraksioneve turistike dhe urbane.
Me veprimtarinë e Aeroportit të Vlorës, vendi do të përfitojë nga linjat me kosto të ulët që do të hyjnë në treg, si dhe do të nxisë investitorët për të zhvilluar aeroportin dhe infrastrukturën e turizmit në zonë.
Kryeministri dhe kryetari i PSSH Edi Rama: Ju e dini shumë mirë që ata që janë vërtetë të rëndësishëm vijnë me vonesë, kështu që po presim bacën Behgjet që të na nderojë me uljen e tij në pistë dhe ndërkohë, duke qenë se Belindës edhe Maksit i mbaruan fjalët, unë që siç e dini nuk më mbarojnë fjalët kurrë, dola këtu t’ju them në radhë të parë, shumë urime edhe me këmbë të mbarë të gjithë punonjësve dhe punonjëseve të reja të aeroportit të Vlorës që janë këtu të pranishëm, të falënderoj në mënyrë të veçantë grupin e ardhur nga Kosova që janë këtu të pranishëm dhe të shpreh besimin se kjo shqiponjë dy krenare që është krijuar në trupin e aeroportit të Vlorës me burime njerëzore nga Kosova dhe nga Shqipëria do ta ngrejë shumë lart emrin e këtij aeroporti për cilësinë e shërbimit, për sigurinë dhe natyrisht edhe për nivelin e buzëqeshjes që e pashë sot me shumë kënaqësi.
Dua po ashtu të falënderoj të gjithë ata që besuan në këtë projekt dhe punuar në këtë projekt që nuk ka qenë aspak i lehtë, për hir të vërtetës, ka qenë një projekt tejet sfidues dhe mjafton të shohësh pak më larg se si i gjithë aeroporti është ngritur 2 metra nga sipërfaqja e terrenit pasi terreni këtu është 2 metra nën nivelin e detit dhe se çfarë pune e jashtëzakonshme është bërë në të gjithë pjesën e padukshme sot për të garantuar një platformë solide të kategorisë më të lartë ndërkombëtare dhe patjetër me të gjithë parametrat e cilësisë, të cilat do të certifikohen nga institucionet ndërkombëtare.
Thashë se ishte 2 minuta vonesa, por qenka më shumë dhe atëherë dua ta nis diku se ju e dini që unë kam me vete shumë të tjerë që nuk duken këtu, por që janë bashkë me mua aty tek pasqyra e Facebook tim dhe që nuk më ndahen nga të gjitha rrugët e jetës, nga të gjitha vendet, me të gjitha llojet e opinioneve dhe dua të adresoj njërin prej këtyre opinioneve që më ka cimbisur prej ditësh qysh se ne thamë që do të ulim avionin e testimit në pistën tanimë të përfunduar dhe ky opinion thotë që ky është një fluturim “fake”, që do të bëhet vetëm për propagandë dhe pastaj aeroporti do të mbetet si Kukësi dhe unë dua ta zbuloj këtu një surprizë për ndjekësit e mi. Unë nuk jetoj dot pa ta, duket sikur ata më marrin shpirtin, por unë ju siguroj që pa ta unë nuk jetoj dot në këtë detyrë, ata më ndihmojnë shumë që ta bëj detyrën edhe më mirë edhe me më shumë vendosmëri dhe pavarësisht se nuk më lënë gjë pa thënë, unë i dua ata dhe dua t’i zbuloj atyre, por edhe të tjerëve një surprizë.
Është e vërtetë, aeroporti i Kukësit ka pasur një sfidë më vete për të siguruar operatorët përkatës, nuk është një aeroport i thjeshtë, ka një problematikë me korridorin e uljes që e kemi thënë qysh atëherë dhe nga ana tjetër, për të pasur operatorët që punojnë në një aeroport duhet të krijosh besimin e duhur se nuk do të jetë një operacion me humbje të paarsyeshme si fillim dhe operatori që operon aeroportin ka bërë përpjekje për të lidhur marrëveshje, për të bërë kontrata mirëpo nuk e ka gjetur dot në kohë një akullthyes, një akullthyes që të dëshmojë se ai aeroport ia vlen siç ndodhi me aeroportin e Tiranës.
Aeroporti i Tiranës ishte aeroporti më i shtrenjtë të Europës. Ne trashëguam aeroportin më të shtrenjtë të Europës dhe ata që e kontrollonin aeroportin, koncensionari i trashëguar kishin arritur t’i impononin shtetit shqiptar që është unikale në llojin e vet pasi kishin marrë nga shteti edhe monopolin e vendimmarrjes që do të thotë që shteti shqiptar nuk mund të hapte dot një aeroport tjetër pa marrë lejen e tyre dhe në kontratën, madje, që ata kishim me shtetin, kishte një klauzolë që në një rreze 100 kilometra nga aeroporti i Tiranës nuk mund as të mendohej për një aeroport tjetër, gjë që për shembull përjashtonte Vlorën.
Nga ana tjetër, numri i fluturimeve ishte shumë i kufizuar, biletat ishin tmerrësisht të shtrenjta, transformimi ndodhi me një plan të shumanshëm, një plan të shumanshëm që ne e vumë në jetë hap pas hapi duke e transformuar praktikisht aeroportin e Tiranës nga aeroporti më i shtrenjtë, nga aeroporti më i vështirë, nga aeroporti më i lodhshëm për të gjithë, në aeroportin me rritjen më të lartë për disa vite rresht në të gjithë Europën dhe në aeroportin më të madh të rajonit jo në raport me vetveten, as thjesht dhe vetëm më të madhin si rritje, por për numër pasagjerësh.
Në Tiranë ne përpunojmë më shumë pasagjerë se në Beograd dhe kjo është diçka e paimagjinueshme deri pak vite më parë ndërkohë që numri i fluturimeve ka arritur në një pikë të pabesueshme. Aeroporti i Tiranës punon ditën dhe natën. Në aeroportet e rajonit jeta mbaron pasdite, aeroporti i Tiranës punon ditën dhe natën dhe ndërkohë jemi duke shtyrë përpara, siç e tha Belinda, qoftë ngritjen e kategorisë për fluturimet transoqeanike, ndërkohë që tanimë ka filluar bashkëbisedimi me “Federal Aviation” e Shteteve të Bashkuara që kërkon një kohë të caktuar për inspektimet.
Ata kanë ardhur, kanë inspektuar aeroportin, kanë identifikuar gjërat që do donin të shihnin dhe nga ana tjetër, aeroporti është në bisedime serioze, por edhe ne bëjmë punën tonë për të shtuar disa linja shumë prestigjioze duke filluar nga Qatar Airways, por ama ju them këtë; unë kam bërë takime vetë personalisht me kompanitë, i kam lutur kompanitë vetë që të vijnë dhe vitet e para ka qenë e pamundur, ka patur një skepticizëm të madh. Kur erdhi Rayan Air u duk sikur.., domethënë mbase shumëkush ka menduar se Rayan Air erdhi sepse atë ditë mësoi për Tiranën. Rayan Air i jemi qepur me bukë në trastë, kur i thonë, por nuk bindej që Tirana dhe Shqipëria kishin biznes për të bërë dhe sot Rayan Air është i lumtur me Shqipërinë.
Tani ku lidhet Kukësi këtu?
Kukësi lidhet se ka nisur puna prej kohësh dhe në janar është regjistruar zyrtarisht kompania, një kompani e re shqiptare. Tani juve të Kosovës do prekeni në mënyrë të posaçme. Një kompani e re shqiptare e cila do të nisë së shpejti për të mos i ndalur më fluturimet ne aeroportin e Kukësit. Mund ta tregojmë pak?
“Air Kosova” do të jetë kompania tjetër shqiptare dhe këta dy avionë do jenë dy avionët e krenarisë sonë të përbashkët, “Air Albania” që do të ketë bazën e vet këtu në Vlorë dhe “Air Kosova” që do të ketë bazën e vet në Kukës dhe për ta konfirmuar këtë, kam sjellë me vete edhe certifikatën që të mos thonë që është photoshop. Ky është regjistrimi i kompanisë qysh në janar të 2025 . Kompania po punon për të siguruar avionët dhe për të filluar me operacionet në territor. Nuk po jap datë, sepse kam mësuar tanimë që këto datat që jap unë, fusin brenda syrin e keq dhe tani syri i keq plasi sepse Baca zbriti.
Është duke shkuar një herë në Vlorë që ta shohë Vlora dallëndyshen e parë, që lajmëron një pranverë në të gjitha sezonet e aeroportit të Vlorës, i cili ndryshe nga aeroporti i Kukësit që është një aeroport i vogël për fluturime lowcost, do të jetë një aeroport ndërkombëtar për gjithë vitin, jo vetëm një aeroport turistik, edhe Kukësi për gjithë vitin për fluturime lowcost, ndërsa Gjirokastra që do të jetë aeroporti mandati të ardhshëm, do të jetë një aeroport turistik sezonal, që do të ndihmojë fuqishëm gjithë Jonin, gjatë periudhës së verës dhe gjithë jugun e Shqipërisë natyrisht, sikundër aeroporti i Kukësit do të jetë një mbështetje e madhe edhe për turizmin në zonën e veriut.
* * *
Pas mbërritjes së Behgjet Pacollit, Edi Rama merr sërish fjalën
Atëherë po vazhdoj fjalën pasi në pjesën e parë siç edhe ju thashë u përqendrova tek mbushja e kohës deri sa të vinte njeriu më i rëndësishëm i ditës.
Bac mirë se ke ardhur! Shpresoj të të pëlqejë çfarë kemi bërë deri tani.
Dhe natyrisht që do t’i jap fjalën për ta mbyllur Bexheti këtë ceremoni të bukur, po dua të shtoj edhe disa gjëra që nuk i preka më parë, duke filluar nga fakti që ky aeroport nisi, siç e tha dhe Belinda me një objektiv të caktuar dhe me një masë të caktuar pasagjerësh të parashikuar dhe pastaj procesi i detajimit të projektit dhe ndërkohë gjithë procesi i mëparshëm i përzgjedhjes dhe marrjes përsipër të veprës nga kompania, morën disa kohë dhe në atë disa kohë ambicia u rrit, sepse u rrit Shqipëria, sepse u rrit edhe imazhi dhe u rrit dhe shumë interesi për Vlorën dhe gjithë jugun e Shqipërisë në këtë rast, kështu që sot aeroporti ka përmasën e kësaj ambicie të rritur në këto vite.
Nga ana tjetër, u fol këtu për punësimin e mbi 1 mijë njerëzve, thjeshtë dhe brenda perimetrit të aeroportit, po gjithë ky territor dhe kur them gjithë ky territor, kam parasysh, jo territorin e aeroportit po territorin e qarkut të Vlorës, e qarkut të Fierit, do të jenë nën presionin e kërkesës për punonjës, për krah të kualifikuar pune, sepse në ndërkohë, këtu do të bëhet mirëmbajtje avionësh, këtu do të bëhet kargo për herë të parë në Shqipëri, do të ketë edhe avion kargo.
Ne ndërkohë kemi pasur shprehje interesi për Tiranën dhe për Vlorën nga kompani të mëdha që merren me logjistikën e transporteve postare dhe rrotull do të ketë zhvillime të tjera, kryesisht të turizmit, por edhe të logjistikës dhe përballë do të kemi një zhvillim të jashtëzakonshëm nga pikëpamja e imazhit dhe e cilësisë për të cilin është folur shumë, por i cili tanimë po merr formë dhe patjetër që ambicia është që ky zhvillim, ky transformim të mos jetë thjesht një zhvillim më tepër në hartën e industrisë tonë turizmit, por të jetë një zhvillim që të udhëheqë si model dhe të ketë një forcë tërheqëse të atillë që të vendoset në majë të nivelit të vetë të gjithë Mesdheut.
Pra ambicia është që zhvillimi në ishullin e Sazanit dhe zhvillimi në të gjithë territorin përballë të krijojë një magnet me një fuqi të jashtëzakonshme për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë dhe të na japë një mjet të ri për të tërhequr turizmin, për të tërhequr turistët që konsumojnë shumë. Për të tërhequr turistët që sjellin shumë të ardhura, por që kur vijnë, vijnë edhe me sytë e hapur për të parë se ç'mund të bëjnë tjetër në këtë vend.
Kështu që, e ardhmja është absolutisht shumë premtuese për Vlorën dhe ky aeroport është pasqyra më kuptimplotë e këtij premtimi që e ardhmja mbart për Vlorën.
Dua ta mbyll duke thënë edhe dy fjalë për kompaninë tonë të flamurit “Air Albania”, e cila pati një fazë të vështirë tranzicioni dhe tanimë ka hyrë në një rrugë të re.
Së shpejti do të vijnë dhe dy avionë të tjerë dhe numri i avionëve do të shkojë në 5 dhe pastaj siç ka qenë plani, por tanimë ky plan është duke u lehtësuar hap pas hapi sipas kalendarit, do të kemi 7 avionë dhe po ashtu “Air Albania” është duke punuar dhe për krijimin e një flote të dedikuar të avionëve të biznesit që është një vlerë e madhe e shtuar për industrinë tonë të turizmit, por është një vlerë e madhe e shtuar dhe për aviacionin tonë.
Ndërkohë që siç thashë, siç është Vlora gati sot, edhe Tirana po bëhet gati për të pritur edhe avionët që vijën përtej oqeanit. Duke ju siguruar që në fund të ditës e gjitha kjo, të gjitha këto përkthehen në një shtysë të fortë për rritjen e ekonomisë së Shqipërisë dhe duke siguruar se ajo që ka ndodhur me PBB, që është rritur 3 herë nga më pak se 10 miliard euro kur ne morëm detyrën, në 25 miliard euro, është vetëm fillimi i një rritjeje ende më të fuqishme dhe parashikimi ynë për Shqipërinë 2030 me 35 miliard PBB, është minimumi i asaj që ne do të arrijmë.
Ju falënderoj dhe një herë dhe dua që ta harroni se mund të rrini ulur kur të mikprisni me duartrokitje Behgjet Pacollin që të marrë fjalën këtu!/dritare.net

















