
10 vatra zjarri aktive, 200 efektivë të FA në terren!
Dritare.net

Në vendin tonë aktualisht janë 10 vatra zjarri aktive, kryesisht në pyje.
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacione në lidhje me situatën me zjarret në vend.
Me një njoftim për mediat bëhet me dije se vatrat e zjarrit janë nën monitorim dhe se nuk përbëjnë rrezik për qytetarët.
Në terren janë angazhuar rreth 200 efektivë të Forcave të Armatosura, ët cilët u kanë ardhur në ndihmë forcave zjarrfikëse për shuarjen e zjarreve.
Qendra Kombëtare Operacionale e Mbrojtjes Civile bën me dije se në Lezhë janë aktive 4 vatra zjarri, në njësinë administrative Shëngjin, zona Rëra e hedhur-Maja e Zezë dhe po punohet për izolimin e tyre.
Zjarri në malin e Kakarriqit është izoluar pothuajse totalisht. Ndërsa në Rubik, në fshatin Katund i Vjetër, vatra ka intensitet të ulët dhe është nën monitorim. Në Elbasan ka patur një vatër zjarri në Gramsh në fshatin Siman, k. Policia ka nisur hetimin për shkaqet e zjarrit.
Në Fier nga 3 vatra, 2 tashmë janë lokalizuar dhe janë drejt përmirësimit. Situata është nën kontroll edhe në fshatin Hekal në Mallkastër, ku u raportua për zjarr në sipërfaqe me shkurre ullishte dhe pemëtari.
Vështirësi ka paraqitur terreni në njësinë administrative Terpan në pyllin e Ballollit në Berat, por zjarri nuk përbën rrezik për komunitetin, pasi ndodhet larg zonave të banuara./ I.M-Dritare.net

















