Në Kosovën e çliruar nga serbët, im atë mësoi fëmijët të shkruajnë shqip
Dritare.net

Një mësues i ri, një aparat fotografik dhe një rrugëtim drejt Kosovës për t’u mësuar fëmijëve shqipen. Kjo është historia e Abdyl Xhafos, një prej mësuesve shqiptarë që në vitet e Luftës së Dytë Botërore u nisën drejt Kosovës për të hapur shkollat shqipe. Një histori që ai e dokumentoi në dhjetëra fotografi, i ruajti ato për dekada dhe u la fëmijëve një amanet që vetë nuk arriti ta përmbushte.

Abdyl Xhafo nuk mundi të kthehej më në Kosovën që e kujtonte me mall deri në fund të jetës, por dekada më vonë atje u kthyen fotografitë dhe kujtimet e tij. Ishte vajza, Afërdita Xhafo-Hall, e cila jeton prej më shumë se 30 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mori albumin e të atit dhe e çoi në shkollën e Irzniqit të Deçanit, aty ku Abdyl Xhafo kishte qenë mësues dhe drejtor në vitet 1942-1943.

Në një rrëfim të veçantë në emisionin “Shqip” me Rudina Xhungën, Afërdita Xhafo-Hall tregoi historinë e të atit, dashurinë e tij për Kosovën dhe rrugëtimin e një albumi fotografik që sot është një dëshmi e rrallë e asaj kohe.

Abdyl Xhafo ishte një prej rreth 200 arsimtarëve që u dërguan nga Shqipëria në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai kishte mbaruar fillimisht Shkollën Teknike Amerikane të Kavajës për agronomi dhe më pas Normalen e Elbasanit për mësuesi, me drejtor Aleksandër Xhuvanin.
Në vitin shkollor 1942-1943 ai u nis drejt Kosovës, ku punoi si mësues dhe drejtor i shkollës në Irzniq të Deçanit.
Sipas kujtimeve që Abdyl Xhafo i kishte përcjellë së bijës, mbërritja e mësuesve nga Shqipëria ishte pritur me një gëzim të jashtëzakonshëm. Për shumë prej nxënësve ishte hera e parë që kishin mundësi të mësonin të shkruanin dhe të lexonin në gjuhën shqipe.
“Kisha fëmijë të vegjël dhe vinin me qeleshet, ato plistat karakteristike. Kisha dhe 15-16-vjeçarë që s’kishin mësuar kurrë shkrim e këndim në gjuhën shqipe”, kujtoi Afërdita Xhafo-Hall fjalët e të atit.

Në klasat e tij kishte nxënës të moshave të ndryshme. Ata e flisnin shqipen, por shumë prej tyre nuk kishin mësuar më parë ta shkruanin apo ta lexonin. Për Abdyl Xhafon, puna e mësuesit nuk mbaronte brenda klasës. Ai kishte studiuar edhe për agronomi dhe njohuritë e tij i përdori në shkollën e Irzniqit. Bashkë me kolegët dhe nxënësit mbolli pemë frutore në oborrin e shkollës dhe u mësonte fëmijëve si të punonin tokën, si të kujdeseshin për pemët dhe si të përmirësonin prodhimin.
“I mësonte nxënësit si të punonin tokën, si ta plehëronin, të krasitnin pemët”, tregoi e bija, duke kujtuar historitë që kishte dëgjuar prej tij.


Por Abdyl Xhafo kishte me vete edhe diçka tjetër: aparatin fotografik.
Me të dokumentoi jetën e asaj kohe. Fotografoi nxënësit me plis në oborrin e shkollës, mësuesit shqiptarë, ekskursionet, aktivitetet me prindërit, orët e fizkulturës, udhëtimet në Deçan e Prizren, festimet e 28 Nëntorit dhe momente nga jeta e përditshme.

Fotografitë do të merrnin një vlerë krejt tjetër shumë vite më vonë. Kosova mbeti një nga kujtimet më të forta të jetës së Abdyl Xhafos.
“E kujtonte gjithmonë me mall dhe qante për Kosovën”, rrëfeu Afërdita.
Pavarësisht se ishte kohë lufte dhe udhëtimi ishte i vështirë, i ati i kishte treguar se kishte shkuar atje me një dëshirë të jashtëzakonshme. Një pjesë e rrugës bëhej me kuaj dhe udhëtarët flinin edhe jashtë, të mbuluar me guna. Por për të, mundimi vlente.

Pas një viti shkollor, Abdyl Xhafo u kthye në Tiranë, ku u martua dhe vazhdoi punën si mësues. Por në Kosovë nuk u kthye më.
Gjatë dekadave të diktaturës, kujtimet e Kosovës mbetën kryesisht brenda shtëpisë. Afërdita tregon se i ati u fliste fëmijëve për atë periudhë, por jashtë familjes nuk tregonte se kishte qenë mësues në Kosovë. As faktin se kishte studiuar në Shkollën Amerikane të Kavajës nuk e përmendte.
“As Amerikë, as Kosova, asgjë fare. Nuk flitej”, kujtoi Afërdita atmosferën e atyre viteve.

Megjithatë, Abdyl Xhafo nuk e la historinë e tij të humbiste. Ai kishte ruajtur negativët e fotografive të realizuara në Kosovë. Gjatë viteve nisi t’i stamponte fotografitë një nga një dhe t’i vendoste në një album modest. Poshtë tyre shënonte vitin, ngjarjen dhe, kur mundej, emrat e njerëzve që shfaqeshin në to.
Albumi u bë kështu dëshmia e jetës së tij si mësues në Kosovë. Në fund të viteve ’80, dy ish-nxënës nga Irzniqi erdhën ta takonin në Shqipëri. Abdyl Xhafo u gëzua jashtë mase dhe kërkoi që ata ta merrnin albumin me vete në Kosovë.
“Merrni albumin”, u kishte thënë.
Por ish-nxënësit nuk pranuan.
“Në asnjë mënyrë, se na e djeg, na e gris serbi në kufi. Mbaje, se kjo është gjë e rrallë, një xhevahir”, i ishin përgjigjur ata.

Albumi mbeti sërish në shtëpinë e Abdyl Xhafos. Pak vite më vonë, në vitin 1991, ai ndërroi jetë. Nuk arriti ta shihte më Kosovën dhe as ta kthente albumin në vendin ku fotografitë ishin realizuar. Por këtë do ta bënte e bija. Kur Afërdita Xhafo-Hall u largua drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mes librave dhe sendeve që mori me vete ishte edhe albumi i të atit. Për vite ai qëndroi mes librave të saj, derisa një ditë Afërdita ndjeu se kishte ardhur koha ta çonte në Kosovë.
“Sikur zëri i tij më tha: Çohu e shko në Irzniq”, tregoi ajo.

Përmes Ismail Sadikut, djalit të një patrioti shqiptar nga Kosova, ajo arriti të lidhej me drejtuesit e shkollës në Irzniq. Kur ata mësuan se vajza e një prej mësuesve të vitit 1942 kishte ruajtur albumin me fotografitë e asaj kohe, e ftuan të shkonte. Afërdita mori albumin dhe u nis drejt Kosovës. Në shkollën ku dikur kishte dhënë mësim Abdyl Xhafo, ajo u prit me emocion dhe me një ceremoni të veçantë. Pas kaq dekadash, albumi u kthye më në fund aty ku kishte lindur.
“U gëzuan jashtë mase dhe e quajtën një nder të madh që unë shkova dhe e vizitova. I dhurova albumin. "Do ta ruajmë këtë album si sytë e ballit.", tha drejtori i shkollës së Irzniqit”, rrëfeu Afërdita Xhafo-Hall.

Për të, kthimi në shkollën e të atit ishte shumë më tepër se një udhëtim. Ishte një takim me kujtesën e Abdyl Xhafos dhe, në njëfarë mënyre, përmbushja e amanetit që ai kishte mbajtur gjallë për dekada. Sot fotografitë e tij nuk janë më vetëm kujtime të një familjeje. Ato dokumentojnë nxënës, mësues, festa, shkollën dhe jetën e përditshme të një periudhe të rëndësishme të arsimit shqip në Kosovë. Një djalë i ri ishte nisur nga Tirana me aparatin fotografik me vete dhe kishte ruajtur, pa e ditur, copëza historie që do t’i mbijetonin kohës. Dhe shumë dekada më vonë, e bija i çoi ato përsëri atje ku e kishin zanafillën.
“Me siguri më vështron nga lart dhe më thotë: Të lumtë, bija ime”, tha Afërdita Xhafo-Hall, duke kujtuar të atin.
Një histori mësuesi, një histori familjare, por mbi të gjitha një histori e shqipes dhe e lidhjes mes shqiptarëve në të dyja anët e kufirit./dritare.net