Nako Spiru, historia e patreguar e familjes së tij! Flet mbesa, Titika Papingji!
Dritare.net

Një histori e mbajtur për dekada brenda mureve të familjes, mes heshtjes, frikës dhe një të vërtete që ende kërkohet. Titika Papingji, mbesa e Nako Spirut, rrëfeu në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV anën familjare të një prej figurave më të diskutuara të historisë së Shqipërisë komuniste. Për të, Nako Spiru nuk ishte politikani për të cilin shkruhej jashtë shtëpisë, por pjesë e një familjeje që zgjodhi të heshtte për të mbijetuar.
Sipas saj, familja nuk e ka pranuar kurrë plotësisht versionin e vetëvrasjes së Nako Spirut. Papingji tha se edhe sot dëgjon variante të ndryshme për atë që ndodhi, ndaj nuk pretendon se mund të rindërtojë me siguri ngjarjen. Megjithatë, bindja e saj personale është e fortë: “Një gjë është e sigurt, që Nakon e vranë. Se kush e qëlloi plumbin, ajo është thjesht një dorë. Mendoj që e gjitha ishte inskenuar që ai të ndihej i rrethuar, të ndihej i pambrojtur”.
Nako Spiru u plagos më 20 nëntor 1947, në zyrat ku sot ndodhet zona e Parlamentit, në një kohë kur ishte kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit. Titika tregoi se shoferi i tij shkoi dhe njoftoi familjen se Nako ishte plagosur. Familjarët u nisën drejt Tiranës, por, sipas dëshmisë së saj, nuk u lejuan të hynin në reanimacion dhe nuk patën asnjë kontakt me të deri kur ai ndërroi jetë.
Pas vdekjes së tij nisi një tjetër dramë për familjen. Figura e Nako Spirut kalonte nga hero në armik dhe anasjelltas, sipas kthesave politike të regjimit. Titika tregoi se eshtrat e tij u zhvarrosën pesë herë. Sa herë shpallej përsëri “armik”, hiqej nga Varrezat e Dëshmorëve. Vetëm në vitet ’90 familja u pyet se ku dëshironte ta varroste dhe vendosi ta çonte në varrezat e vjetra të Durrësit, pranë njerëzve të tij. “Ndoshta për herë të parë po varrosej realisht ai njeri për familjen. Ka qenë shumë e rëndë”, rrëfeu ajo.
Në familje, ndërkohë, ishte zgjedhur heshtja. Titika shpjegoi se pas asaj që ndodhi me Nakon, në shtëpi kishin mbetur të moshuarit, Nora dhe tre fëmijë të vegjël jetimë. Sipas saj, familja nuk u përqendrua te pyetja se kush e vrau apo si vdiq Nako, por te mbijetesa dhe mbrojtja e fëmijëve. “U investua në mbijetesë”, tha ajo. Edhe Enver Hoxha, sipas rrëfimit të saj, nuk përmendej në shtëpi. Të rriturit flisnin fillimisht italisht që të mos kuptonin fëmijët dhe, kur këta nisën të kuptonin italishten, kaluan në greqisht.
Por ndoshta kujtimi më i fortë që Titika ruan nuk lidhet me politikën. Lidhet me sytë e Norës, motrës që jetoi gjithë jetën me kujtimin e vëllait. “Ajo që më ka ngelur te Nora në lidhje me Nakon janë sytë e Norës në vitet e fundit. Ai trishtimi i zhgënjimit, kur ti nuk pret më asgjë për të vërtetën”, tregoi ajo. Nora, sipas Titikës, nuk kërkonte që historia ta shpallte medoemos Nakon hero. Kërkonte vetëm të dinte çfarë kishte ndodhur.
Ky është edhe amaneti që Titika thotë se mban sot me vete. “Do të doja që një ditë e vërteta të dilte në mënyrë absolute. E vërteta, edhe sikur kjo e vërtetë të ishte kundër Nakos”, tha ajo. Sepse, sipas saj, më e rënda për familjen ishte që Nako Spiru mbeti për dekada mes dy botëve, herë armik e herë hero, pa një përgjigje përfundimtare për fatin e tij: “Më mirë të jesh armik një herë e mirë apo hero një herë e mirë, sesa në atë limbo ku e kanë lënë.”/dritare.net