Hidromasazh si në Santorini/ Dy e-mailet që lidhin Ballukun me supervilën në Palasë
Dritare.net

Dy e-maile të studios së arkitekturës “Atelier 4”, pjesë e dosjes së SPAK-ut, hedhin dritë mbi lidhjen e Belinda Ballukut me vilën luksoze në Palasë, e regjistruar në emër të Igli Tares.
Prona është vendosur nën sekuestro, pasi Prokuroria e Posaçme dyshon se Balluku është pronarja faktike, ndërsa emri i Tares është përdorur për të fshehur pronësinë e vërtetë.
Komunikimet datojnë në shtator të vitit 2020, një muaj përpara se Igli Tare të firmoste kontratën e sipërmarrjes. Në to, studioja e arkitekturës i dërgon drejtpërdrejt Ballukut variante të projektit dhe hollësi për mënyrën se si do të ndërtohej vila.
Projekti parashikonte një rezidencë me standardet e një hoteli luksoz: pishinë “infinity”, tavolinë ngrënieje në nivelin e ujit, sipërfaqe të veshura me dru “teak” për të krijuar pamjen e një jahti, suita dhe vaska hidromasazhi të frymëzuara nga hoteli luksoz “Rocabella” në Santorini.
Në një nga e-mailet thuhet se vila duhet të konceptohej në mënyrë që, edhe po të jepej me qira, përdoruesit të ndiheshin “të llastuar si në hotel”. Studioja i kërkonte Ballukut mendim edhe për materialet e arredimit, duke i propozuar variante të ndryshme dhe mundësinë e rikthimit te mermeri blu.
Katër ditë më vonë, më 18 shtator 2020, “Atelier 4” i dërgoi Ballukut një dokument me 11 faqe, ku përfshiheshin planimetritë dhe projektet e dy objekteve të emërtuara “Vilat binjake”.
Vila e sekuestruar ka një truall prej 478 metrash katrorë, është e organizuar në dy kate me sipërfaqe të përgjithshme 271.2 metra katrorë dhe ka dy garazhe, përkatësisht 20 dhe 40 metra katrorë. Punimet përfunduan në vitin 2025.
Në të njëjtën hapësirë ndodhet edhe një vilë tjetër, që dyshohet se i përket sipërmarrësit Arbër Abazi. Sipas hetimit, Abazi mund të ketë financuar përfundimin e vilës në këmbim të favorizimit të kompanisë së tij, “Alko Impex General Construction”, e cila në tetor 2021 fitoi një lot të Unazës së Madhe të Tiranës, me vlerë rreth 2.7 miliardë lekë me TVSH.
Kjo është vila e dytë në bregdetin e jugut, e regjistruar në emër të Igli Tares, që SPAK dyshon se është në pronësi faktike të Ballukut. Prona tjetër ndodhet në kompleksin “White Rock” në Dhërmi dhe është sekuestruar më herët.
Përveç hetimeve për tenderët, korrupsionin dhe pastrimin e parave, Balluku po hetohet edhe për veprën penale të mosdeklarimit ose fshehjes së pasurisë. Të gjitha pretendimet mbeten objekt i hetimit dhe duhet të provohen përfundimisht nga drejtësia./ dritare.net