Na ndiqni edhe në

Shqip

Çfarë i thanë familjes për vdekjen e Nako Spirut? Flet mbesa, Titika Papingji

Nako Spiru ndërroi jetë më 20 nëntor 1947, pas një plage me armë në zyrën e tij në Tiranë. Vdekja e tij, një nga ngjarjet më të debatueshme të viteve të para të regjimit komunist, është shoqëruar ndër vite nga versione të ndryshme. Por çfarë mësoi familja në ato orë? Mbesa e tij, Titika Papingji, tregon në “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV versionin që iu dha familjarëve për plagosjen dhe vdekjen e Nako Spirus.

Sipas Papingjit, familjes iu tha se Nako Spiru kishte pasur një problem me dorën, të mbetur nga koha e luftës dhe se ndërsa po pastronte armën, ajo ishte shkrepur aksidentalisht.

“Justifikimi që u përdor atëherë ishte se Nako kishte plagosur gishtin gjatë luftës dhe ishte duke pastruar armën, kur arma u shkrep.", tregoi Titika.

Por Nako Spiru nuk ndërroi jetë menjëherë.

Sipas Titika Papingjit, Nako qëndroi gjallë edhe për disa orë dhe u dërgua në spital në Tiranë. Ndërkohë, shoferi i tij shkoi për të njoftuar familjen. Pasi morën lajmin, familjarët u nisën drejt Tiranës së bashku me shoferin. Por kur mbërritën në spital, nuk u lejuan të hynin në reanimacion për ta parë.

“Shoferi i Nakos ka ardhur te familja jonë, e ka njoftuar duke thënë se ai është plagosur. Kanë shkuar në Tiranë me shoferin, por nuk i kanë lejuar të hyjnë brenda”, rrëfeu Titika.

Familja qëndroi jashtë dhe, sipas saj, nuk pati asnjë kontakt me Nako Spirun gjatë gjithë kohës që ai ishte në reanimacion.

“Gjatë gjithë kohës, derisa Nako ka dhënë shpirt, ata nuk kanë pasur asnjë lloj kontakti me Nakon”, tregoi mbesa e tij.

Më pas familjarëve iu komunikua se Nako Spiru kishte ndërruar jetë. Ky ishte edhe versioni përfundimtar që familja mori për atë që kishte ndodhur: Nako kishte një problem me dorën, po pastronte armën, arma kishte shkrepur aksidentalisht dhe plagët i kishin marrë jetën.

Një version që familja e dëgjoi, por pas të cilit mbetën shumë pikëpyetje. Dekada më vonë, Titika Papingji tregon se ajo që familja kërkon mbi të gjitha cila është e vërteta për atë që ndodhi atë ditë me Nako Spirun./dritare.net