Ministri i Financave: Magjistratët kërkojnë 40 milionë euro shtesë nga buxheti i shtetit
Dritare.net

Pas kallëzimit penal të depozituar në SPAK ndaj tij, sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe drejtuesve të 16 degëve të Thesarit, ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar duke mbrojtur qëndrimin e institucionit për pagesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në reagimin e tij, Malaj e konsideron situatën si një përshkallëzim të konfliktit mes pushtetit gjyqësor dhe ekzekutivit, ndërsa thotë se Ministria e Financave ka vepruar në përputhje me ligjin.
Deklarata e plotë:
Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit!
Sot, në Ministrinë e Financave u depozitua një kallëzim penal për mua si titullar i institucionit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtorët e thesarit në të gjithë Shqipërinë.
Arsyeja: Kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët.
Nuk dua të bëj asnjë polemikë me askënd dhe as të risqaroj pozicionin e Ministrisë së Financave, ndërkohë që është thënë publikisht nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e Parlamentit, se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit.
Por, kjo nuk i ka penguar përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor që të përshkallëzojnë konfliktin me ekzekutivin duke nënshkruar një kallëzim penal që do ta marrë me siguri historia.
Ndërkohë unë sot dua t’u bëj me dije qytetarëve sa kushton kërkesa e kallzuesve të nderuar, sipas shkallës së pagave:
Gjyqtar i Shkallës së Parë
Është: 376, 381 Lekë
Kërkohet: 567,421 Lekë
Gjyqtar i Shkallës së Dytë
Është: 388,927 Lekë
Kërkohet: 586,335 Lekë
Gjyqtar i Grupit të III në GJKKO
Është: 659,920 Lekë
Kërkohet: 994,877 Lekë
Efekti total në buxhetin e shtetit me këto kërkesa është 40 milionë euro shtesë, çdo vit. Por nuk mbyllet këtu.
Magjistratët kërkojnë rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit 125 milionë euro.
Ndërkohë u them drejtoreve të Thesarit në të gjithë Shqipërinë dhe Sekretarit të Përgjithshëm, që sot u kallëzuan së bashku me mua, se duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji.".dritare.net