Ramize Gjebrea dhe Liri Belishova, dy gratë e jetës së Nako Spirut!
Dritare.net

Ramize Gjebrea dhe Liri Belishova ishin dy gratë që zunë një vend të veçantë në jetën e Nako Spirut. Për marrëdhënien e tij me to, por edhe për kujtimet që janë ruajtur brenda familjes, foli mbesa e tij, Titika Papingji, në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV.
E para ishte Ramize Gjebrea. Një grua e re, e bukur, e emancipuar dhe shumë e mençur. Nako Spiru dhe Ramize Gjebrea ishin dashuruar dhe ishin fejuar gjatë viteve të luftës.
Rezarta Reso tregoi se Ramizeja ishte një grua shumë e emancipuar dhe e lirë në mendime për kohën, ashtu si edhe Nako. Por lufta i ndau fizikisht për një periudhë. Gjatë lëvizjeve të tyre në zona të ndryshme, Ramizeja u njoh me Zaho Kokën dhe mes tyre lindi një dashuri tjetër.
Historia e Ramize Gjebresë do të përfundonte tragjikisht. Ajo u dënua me vdekje dhe u pushkatua gjatë luftës. Por sipas kujtimeve të përcjella në familje, kur Nako Spiru mori vesh se çfarë po ndodhte, kërkoi menjëherë që ajo të mos vritej.
Nga shtabi ishte kërkuar që Ramizeja të kthehej dhe çështja e saj të gjykohej atje. Por përgjigjja mbërriti tepër vonë. Ramize Gjebrea ishte pushkatuar.
Vdekja e saj e tronditi Nakon. “Ka qenë shumë i mërzitur”, tregoi Titika, duke shtuar se ajo ishte një nga viktimat e luftës.
Më vonë, në jetën e Nako Spirut hyri Liri Belishova. Të dy jetuan së bashku në Tiranë për rreth një vit e gjysmë. Në fotografitë e tyre të asaj kohe, Titika sheh diçka që shkon përtej historisë politike të dy personazheve.
“Po të shikosh buzëqeshjen e të dyve, është diçka që shpreh sinqeritetin e asaj kohe, mënyrën se si ata e kanë jetuar”, tregoi ajo.
Jeta e përbashkët e Nako Spirut dhe Liri Belishovës do të ishte e shkurtër. Më 20 nëntor 1947, Nako Spiru u vetëvra në zyrën e tij dhe ndërroi jetë më pas në spital, duke lënë pas një histori që edhe sot vazhdon të shoqërohet me pikëpyetje.
Liri Belishova do të ishte më pas një nga njerëzit që foli dhe kërkoi që figura e Nako Spirut të njihej dhe historia e tij të diskutohej. “Personi që ka lobuar për të njohur figurën e Nakos, për të diskutuar për Nakon, ka qenë Liria, Liri Belishova. Liria ka qenë si të thuash ambasadorja”, tregoi Titika.
Kështu, në historinë e shkurtër dhe dramatike të Nako Spirut mbetën edhe historitë e dy grave: Ramize Gjebrea, dashuria e viteve të luftës që pati një fund tragjik, dhe Liri Belishova, gruaja me të cilën ndau vitet e fundit të jetës./dritare.net

