Mungesa e punëtorëve shqiptarë, krizë për bujqësinë greke
Dritare.net

Bujqësia greke po përballet me një krizë gjithnjë e më të thellë të fuqisë punëtore, ndërsa mungesa e punëtorëve të tokës dhe rritja e kostove të prodhimit po vënë në vështirësi fermerët. Për dekada me radhë, një pjesë e madhe e këtij sektori është mbështetur te punëtorët shqiptarë, por vitet e fundit kjo situatë ka ndryshuar. Shumë prej tyre po zgjedhin të punojnë në vende të tjera, ndërsa të tjerë janë larguar nga bujqësia ose janë kthyer në sipërmarrës.
Sipas një analize të medias greke “Protothema”, fermerët po përballen me një paradoks ekonomik: ndërsa çmimet e produkteve bujqësore kanë rënë, kostot e punës janë rritur ndjeshëm. Kjo është veçanërisht e dukshme në sektorin e ullirit, ku çmimi i vajit të ullirit llogaritet rreth 3.20 euro për kilogram, ndërsa një punëtor për vjeljen e ullinjve kërkon nga 70 deri në 90 euro në ditë.
Një grup prej katër punëtorësh me pagesë 80 euro secili i kushton fermerit 320 euro në ditë. Kjo shumë është e barabartë me vlerën e rreth 100 kilogramëve vaj ulliri, pa llogaritur shpenzimet e tjera për transportin, ushqimin, akomodimin dhe përpunimin e prodhimit.
Mungesa e punëtorëve shqiptarë, një problem për bujqësinë greke
Për rreth 30 vite, shqiptarët kanë qenë një nga shtyllat kryesore të fuqisë punëtore në bujqësinë greke. Nga vjelja e pjeshkëve dhe qershive në zonat veriore, deri te ullinjtë në Peloponez dhe Kretë, punëtorët shqiptarë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbajtjen në funksion të sektorit bujqësor.
Por kjo fuqi punëtore po pakësohet. Një pjesë e punëtorëve shqiptarë po zgjedhin tregje të tjera pune, ku mundësitë ekonomike dhe pagat janë më të favorshme. Të tjerë kanë krijuar aktivitetet e tyre bujqësore dhe nga punëtorë me mëditje janë kthyer në pronarë tokash apo sipërmarrës.
Sipas fermerëve grekë, përvoja e punëtorëve shqiptarë, njohja e gjuhës dhe komunikimi i lehtë me pronarët e fermave i bëjnë ata veçanërisht të kërkuar. Për këtë arsye, edhe kur kërkojnë pagesa më të larta, fermerët shpesh pranojnë t'i paguajnë.
Në disa raste, një punëtor shqiptar mund të marrë deri në 90 euro në ditë, ku përfshihen edhe ushqimi, strehimi dhe transporti drejt parcelave bujqësore.
Mungojnë deri në 200 mijë punëtorë
Vlerësimet për numrin e punëtorëve që mungojnë në bujqësinë greke ndryshojnë ndjeshëm. Sipas Shoqatës Kombëtare të Kooperativave Bujqësore të Greqisë, mungesa llogaritet në 70 deri në 80 mijë punëtorë në vit. Ndërkohë, disa ekspertë të sektorit vlerësojnë se nevojat reale mund të kalojnë 200 mijë persona.
Edhe Ministria greke e Zhvillimit Rural ka përmendur më herët një nevojë prej rreth 180 mijë punëtorësh në vit.
Për të plotësuar këtë boshllëk, Greqia ka tentuar të tërheqë fuqi punëtore nga vende të tjera, përmes marrëveshjeve dypalëshe. Një prej tyre është marrëveshja me Egjiptin, e cila parashikonte ardhjen e deri në 5 mijë punëtorëve sezonalë. Megjithatë, rezultatet kanë qenë shumë më të ulëta nga pritshmëritë: deri në qershor, sipas të dhënave të publikuara në artikull, kishin mbërritur vetëm 150 punëtorë.
Në sektorin bujqësor grek po punojnë gjithnjë e më shumë shtetas nga Pakistani, India dhe Bangladeshi, ndërsa po shqyrtohen edhe mundësi rekrutimi nga Filipinet, Tajlanda dhe Vietnami.
Pagesat janë dyfishuar, ndërsa prodhimi po bëhet më pak fitimprurës
Një tjetër problem për fermerët është rritja e ndjeshme e pagesave ditore. Në vitin 2021, punëtorët që merreshin me vjeljen e ullinjve paguheshin rreth 30-40 euro në ditë. Sot, pagesat në këtë sektor arrijnë në 60-90 euro.
Në rajone të ndryshme të Greqisë, mëditjet variojnë sipas llojit të punës dhe zonës. Në Kavalla raportohen pagesa rreth 35 euro, në Tebë nga 40 deri në 50 euro, ndërsa në Korinth nga 50 deri në 60 euro. Në Kretë, pagesa ka arritur në 60 euro dhe deri në 85 euro kur punëtori përdor pajisjet e veta.
Fermerët thonë se problemi nuk është vetëm gjetja e punëtorëve, por edhe fakti se në shumë raste kostoja e vjeljes është aq e lartë sa rrezikon të eliminojë fitimin.
Sipas të dhënave të organizatës ndërprofesionale të vajit të ullirit, rreth 10% e prodhimit të ullirit ka mbetur në pemë për shkak të mungesës së punëtorëve dhe kostove të larta të mbledhjes.
Kriza nuk kufizohet vetëm te ullinjtë. Vështirësi raportohen edhe në vjeljen e pjeshkëve, qershive, kivit dhe agrumeve, ku fermerët duhet të sigurojnë punëtorë brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Për Greqinë, largimi gradual i punëtorëve shqiptarë dhe vështirësitë për të zëvendësuar përvojën e tyre po kthehen në një nga sfidat kryesore të bujqësisë. Ndërsa kostot rriten dhe tregu i punës bëhet gjithnjë e më konkurrues, fermerët rrezikojnë të mos kenë as fuqinë punëtore dhe as leverdinë ekonomike për të mbledhur prodhimin e tyre./L,F-dritar.enet