Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro: Liceu Francez nuk cenon hapësirat e Universitetit të Korçës
Dritare.net

Gjatë prezantimit të projektligjit për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës”, në Komisionin për Ekonominë, Financat dhe Punësimin, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, sqaroi çështjen e ambienteve ku do të funksionojë institucioni i ri. Ministrja Kumbaro theksoi se Liceu Francez i Korçës nuk është thjesht një shkollë për qytetin, por një projekt kombëtar. Ajo bëri të ditur se Universiteti i Korçës nuk do të mbetet pa ambiente, pasi do të ketë një riorganizim të brendshëm të hapësirave, ndërsa në dispozicion të tij do të vihen edhe ambientet e ish-Gjykatës së Apelit, të cilat aktualisht nuk përdoren.
"Nuk është një shkollë thjesht në qytetin e Korçës, është një shkollë kombëtare. Është projekt kombëtar. Sa i përket godinës, jemi në rikthimin e një institucioni, ku ka qenë administrata e ish-Liceut Francez. Një godinë që mori statusin monument kulture në vitet 2015–2016, sepse është një urdhër që mban firmën time. Për shkak të historisë arsimore, prandaj, në një farë mënyre po e rikthejmë në historinë e vet. Kjo nuk do të thotë që, në asnjë mënyrë, Universiteti i Korçës të mbetet pa njërën prej godinave. Unë kam qenë vetë disa herë në Universitetin e Korçës, kemi pasur diskutime me pedagogët e dekanët. Do të ketë një riorganizim të brendshëm të ambienteve. Nuk kemi një mbingarkesë të institucionit, sepse i kam vizituar edhe vetë. Me Ministrinë e Drejtësisë kemi një marrëveshje për të marrë në administrim ambientet e ish-Gjykatës së Apelit, që nuk përdoren aktualisht dhe do t'i vihen në dispozicion Universitetit të Korçës", tha Kumbaro.