Ministri i Drejtësisë Gogu: Asnjë mesazh nga Rama për Veliajn!
Dritare.net

Sot është raportuar në media se avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka thënë se gjatë vizitës së ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit, kryebashkiakut i është përcjellë një mesazh në emër të kryeministrit Edi Rama. Sipas këtyre pretendimeve, mesazhi lidhej me dorëzimin e mandatit dhe ndryshimin e përfaqësimit ligjor.
Pas këtyre raportimeve ka reaguar ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili i ka cilësuar ato si të pavërteta. Gogu konfirmon se e ka takuar Veliajn të premten, por sqaron se qëllimi i vizitës ishte të njihej me kushtet e trajtimit të tij dhe të dëgjonte ankesat e bëra publike nga avokati.
“Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta”, shprehet ministri.
Gogu thekson se me Veliajn e lidh një miqësi e hershme, por mohon kategorikisht të ketë përcjellë mesazhet që i janë atribuar.
“Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj ‘mesazhet’ që më janë vënë në gojë”, deklaron ai.
Reagimi i ministrit Toni Gogu:
“Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier.
Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.
Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë.
Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.
Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.
Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.
Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore.”/dritare.net