Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Mediat e huaja habiten me ne: Estetika po shpërfytyron të rejat shqiptare!

Mediat e huaja habiten me ne: Estetika po shpërfytyron të rejat
Ermira Sela mbulon fytyrën me dorë për të fshehur lungën që e shpërfytyron, rezultat traumatik i trajtimeve kozmetike të pakontrolluara që kanë marrë dhenë në gjithë Shqipërinë. 31-vjeçarja nisi të shqetësohet kur iu shfaqën rrudhat e para në lëkurë. Parukierja e saj i tha se vetëm me një injeksion të thjeshtë, që kushton rreth 60 euro, mund të zhdukte shenjat e plakjes.

“Më siguroi që nuk do të rrezikoja asgjë. Madje listoi dhe emra personazhesh të njohur që kishin bërë ndërhyrje të ngjashme.”-tha Sela. “Nuk e mendova gjatë, i besova pa bërë pyetje.”-tregon gruaja bjonde me sy jeshil dhe zërin që i dridhej. Sallonet shqiptare të bukurisë që nuk kanë ekspertizë dhe mbikëqyrje mjekësore, gjithnjë e më shumë ofrojnë trajtime të tilla, për të cilat ligji nuk përgjigjet, ndërkohë që mjekët e kualifikuar kanë ngritur alarmin. Një injeksion shumë i lehtë i produktit, për sasinë e së cilit Emira nuk dinte asgjë, mjaftoi për të shkatërruar jetën e saj në fund të gushtit. Përpos antibiotikëve, ajo ka dhimbje të përhershme, temperaturë dhe të përziera, ndërsa lunga e krijuar në faqen e djathtë i mban njërin sy të mbyllur dhe gjysmën e fytyrës të paralizuar. “Jam kaq e shpërfytyruar sa kam tentuar të vetëvritem.”-tha Sela që ka humbur punën në bankë. E vetmja shpresë për të tani është ndërhyrja korrigjuese në një spital italian.

Dermatologia Monika Fida/ Foto: Gent Shkullaku/ AFP

Dëshira për pamjen Kardashian “Ka shumë më shumë mashtrues kur vjen puna tek shiringat.”-tregon Panajot Papa, një kirurg plastik në një klinikë private në Tiranë. “Problemi qëndron edhe tek produktet. Të ndaluar në Europë, hyjnë në mënyrë ilegale në Shqipëri nga Turqia ose nga Kina.” Eriona Shehu, dermatologe në spitalin universitar, tha se këto produkte sintetike të pakontrolluara, si silikoni i lëngshëm, ofrohen me çmime tunduese shumë të ulëta. “Ndërhyrjet kozmetike janë kthyer në një industri fitimprurëse. Pacienti është thjesht një klient, i ekspozuar ndaj një numri të lartë rreziqesh.” Shehu thotë se dëshira për t’u dukur si personazhet epshndjellëse të reality-show si Kim Kardashian po shkatërron jetën e vajzave të reja shqiptare në kërkim të bukurisë. Sipas doktorëve shqiptarë, mosha më tipike që klientët i futen këtyre ndërhyrjeve është 16-28 vjeç. Në një vend ku popullsia shkon rreth 3 milion banorë, kërkesa për ndërhyrje estetike u rrit më shumë se me 50% në 2015-tën, sipas një studimi publikuar në revistën ekonomike "Monitor".

Ofertat promocionale shihen kudo, sallonet ofrojnë 20% ulje gjatë sezonit të festave nëse shkojnë tre persona njëkohësisht. Monika Fida, një tjetër dermatologe që punon në spitalin universitar, thotë se oferta të tilla janë kurth, që promovojnë procedura të kryera pa mbikëqyrje mjekësore. Papa thotë se ka trajtuar dhjetëra vajza të reja mes moshës 20-27-vjeçare që kanë patur komplikime pas fryrjes së buzëve apo mollëzave me silikon të lëngshëm, për vetëm 40 apo 50 euro. Ky produkt është i ndaluar në vende si Italia dhe Franca për më shumë se 15 vite. Sipas tij, këto ndërhyrje të dështuara shkaktojnë enjtje gjatë ciklit menstrual dhe kërkojnë patjetër trajtime të mëtejshme, ndryshe vuajnë simptoma gjatë gjithë jetës. Mbyllja e hendekut ligjor Doktorët shqiptarë janë të shqetësuar për praktikantët e huaj që vijnë nga Italia, Turqia dhe Greqia për të punuar vetëm një javë .

“Ata mund të mos kenë diplomë, kualifikim ose licensë për ndërhyrje të këtij lloji apo për të parashikuar gjendjen e pacientit pas ndërhyrjes.”-pohon Besim Boçi, kreu i departamentit të ORL-së në spitalin universitar. Sipas boshllëqeve në legjislacion, drejtësia nuk mund të ndërhyjë. Një zëdhënëse në Gjykatën e Tiranës, Alba Nikolla, pranon se aktualisht është e pamundur të "hapen hetimet dhe të ndiqen penalisht bazuar vetëm me ankesa" kundër praktikantëve. Autoritetet janë vendosur ta trajtojnë këtë me një projektligj për kontrollin e produkteve kozmetike dhe salloneve të bukurisë, që do të prezantohet në parlament muajt e ardhshëm. Ligji është në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian, ku Shqipëria synon të futet dhe do t'u mundësojë autoriteteve të mbyllin institucionet mashtruese që përdorin produkte sintetike.

Kur shëndeti preket negativisht, këta praktikantë të palicensuar mund të burgosen nga tre deri në 10 vjet. Rregullime të tilla mund të lehtësojnë traumën e grave si Elisa Lura, një studente ekonomie 22- vjeçare, që iu nënshtrua një trajtimi me lazer për të rikthyer pamjen e saj natyrale pasi pagoi 50 euro në një sallon lagjeje për tatuazh të përhershëm të vetullave, që shkoi keq. Lazeri i përkeqësoi gjërat edhe më shumë. “Gjithçka është e shkatërruar.”-shprehet ajo për fytyrën e saj që është mbuluar me shenja të dhimbshme.

Ky shkrim i gazetares Briseida Mema për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP), ku pasqyrohet realiteti i ndërhyrjeve estetike të pakontrolluara në Shqipëri është publikuar masivisht edhe në media të tjera të huaja, në vende ku metoda të tilla janë jo vetëm të ndaluara, por edhe të dënueshme me ligj. /anabel.al