
Dosja URA!/ Gazetarja: S'keni parë gjë akoma, ja çfarë do të ndodhë!
Dritare.net
Në një intervistë të gjatë dhe të thelluar në emisionin Dekalog në DritareTV, gazetarja dhe eksperta Lindita Çela komentoi operacionin e fundit antikorrupsion dhe antimafie të prokurorisë dhe strukturave të posaçme, duke e konsideruar një hap të rëndësishëm, por me shumë sfida përpara.
“E prisnim këtë zbulim dhe publikim të bujshëm tashmë të strukturave të posaçme, të prokurorisë, antimafies italiane dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Por duhet të presim edhe më shumë,” tha Çela në nisje, duke nënvizuar rëndësinë e çkodimit të komunikimeve si element kyç:
“…ka filluar të rikthehemi pak që pas 2021-it falë dekodimit të komunikimeve, që i ka dhënë prokurorisë, gjykatësve dhe zinxhirit të drejtësisë prova të forta.”
Në lidhje me aspektin e përfshirjes së shqiptarëve në krimin e organizuar në Europë dhe Amerikën Latine, Lindita theksoi:
“Shqiptarët kanë një kompleks të fortë inferioriteti dhe përpiqen të duken të parët, por në të vërtetë jemi një shoqëri që ka një inkriminim deri në qelizë. Është një realitet i dhimbshëm që nuk mund të neglizhohet.”
Ajo shtoi me shqetësim situatën dramatike sociale:
“Ka nëna që çojnë burrat dhe fëmijët e tyre të punojnë në shtëpi bari jashtë vendit, në emër të parasë apo luksit, duke pranuar një jetë të ndërtuar mbi krim dhe dhimbje. Askush nuk flet për ata djem dhe vajza që përfundojnë në duart e krimit, por vetëm për jetën e luksit që ata shfaqin.”
Në aspektin e luftës kundër krimit, Lindita Çela vuri në dukje:
“Operacioni ‘Ura’ është një hap i rëndësishëm, 52 urdhra arresti, mes tyre 40 shqiptarë dhe 12 italianë. Por sa nga këto raste do të provohet deri në fund në gjykatë? Prokuroria duhet të jetë në gjendje të vërtetojë aktivitetin kriminal të grupeve, sepse shpesh në drejtësi lirohen njerëzit që duhet të ishin në burg.”
Ajo kujtoi një rast tjetër të madh kriminal që lidhet me call centrat, ku, sipas saj: “Nga 120 masa arresti, vetëm tre persona janë përfunduar në burg, ndërkohë që paratë që gjeneroheshin aty ishin më të mëdha se trafiku i drogës.”
Në fund, Çela bëri një krahasim me qytetin e Rigas në Lituani, ku shoqëria i tha “stop krimit” dhe korrupsionit, duke nxitur reflektimin në Shqipëri:
“Në Shqipëri janë më shumë ata që pranojnë këtë mënyrë jetese sesa ata që e përjashtojnë. Kjo është sfida kryesore e shoqërisë sonë.”K.C/dritare.net

















