

Nga Gerta Kapllani
Kur një i huaj pyet nga je, mes një përkufizimi gjeografik, ca fjalë për të parët, një ‘a e dije se’, një emri të një të famshmi shqiptar në botë, ndonjë buzëqeshje për inerci e pak heshtje mund të prezantoja vendin tim, kësaj here gjendem me shpatulla pas muri. Në një event rinor ndërkombëtar më kërkohet të shkruaj plot dy faqe për vendin tim; Rinia e vendit tim. Kur unë e kam kaq të vështirë të flas për veten , për vendin është mision i pamundur. Sot më shumë se kurrë unë s’do doja të isha vetja. Rinia në Shqipëri? Çfarë të them më parë? Shoh kaq shumë. Jetoj përditë këtë realitet të pashpirt që t’i helmon qelizat e shpirtit pak e nga pak, ekstremisht egoist që do të më pushtojë e më ka lënë pa fjalë, pa asnjë ndjesi. Për momentin jam bosh. Si mund t’u them që jam rritur plot ëndrra e shpresa për të ardhmen e sot i shoh të thyhen para syve , që jetoj si refugjat në vendin tim, që çdo përpjekje për t’ia dalë mbanë i vetëm vdes rrugës nga fjalia e tmerrshme “Ke një CV interesante por,..” Por ndoshta s’kam një rekomandim nga lart, apo xhepat kanë mbetur bosh nga vite të tëra investimi në edukim, vazhdon me një “suksese” hipokrite e mbyllet me një “suksese në jetë”.
Si ta vlerësoj unë vendin tim kur ai vetë e di sa vlen. Kur në çdo thirrje pune thuhet “Prioritet i jepet atyre që kanë studiuar jashtë”? Edhe vendi im e përçmon veten e vet.
Si të shpjegoj që sa herë kam një intervistë pune, lutem plot pesë herë që intervistuesi të jetë i huaj. I dua tejmase të huajt, sepse më kujtojnë ndershmërinë, të vërtetën, vlera që karrieristët shqiptarë i kanë harruar, I kanë shkelur me këmbë. Se besoj se vetëm një i huaj mund të jetë realisht objektiv, të masë talentin dhe të vlerësojë për atë që je. Paradoksalisht sot preferoj që një i huaj të vendos për fatin tim, në vendin tim.
Si mund t’u them që dëshira më e madhe nga ajo për tu realizuar në këtë vend është të largohem sa më parë nga ky makth i mbushur me hipokrizi dhe i maskuar deri në grykë me fasada. E si unë janë me mijëra shpirtra të rinjsh që e gjejnë veten të gënjyer, manipuluar, që luftojnë nga mëngjesi der në darkë për mbijetesë, që edhe kursimet e fundit apo lekët e marra borxh i çojnë në edukim e nuk kanë lekë as për urbanin në darkë, apo vaktin e rradhës e sërisht mbeten rrugëve duke lypur shpresë. Realisht s’di nëse është më mirë i varfër në vend të huaj apo i pashpresë në vendin tim.
Do të doje të ishe në vendin tim? Në vendin tim, ku sot dikush është zgjuar kryetar e bën atë që dikur urrente dhe është ai që dikur përçmonte, ndërsa unë jam zgjuar po ai që isha mbrëmë, ndoshta shumë më keq, më i pagjumë, i rraskapitur, më i vdekur, i varfër e i pashpresë se dje.
Si mund t’u them se sot jam zgjuar i ndëshkuar nga një reformë në arsim që sapo më vrau të ardhmen, ende para se të ndodhte.
Si mund t’u them se sa herë kaloj para spitalit që vetëm emrin ka të tillë, lutem 1000 herë që asgjë mos të më sjellë aty.
Si mund t’u them që urrej të kaloj nga kampusi universitar, ku kalova plot tre vite të jetës sime pasi u ushqeva me lloj-lloj mënxyrash, trokitur pas dyerve që nuk hapeshin kurrë, pritur me orë e ditë para sekretarive me shërbimin zero, auditore skandaloze e laboratore jofunksionalë që ushqejnë padije. Një pjesë e reflektimit tim, mbart gjurmët e tyre.
Si t’u them që dita-ditës humbasin jetë se ambulanca dhe zjarrfiksja humbasin rrugëve? Që nëse do që rinia të të kalojë para syve mjafton të hipësh në një urban miku im me destinacion skamjen dhe marrezinë.
Si t’u them që solidarizmi në këtë vend ka vdekur. Si t’u them që në një ditë dimri me shi shoku,shoqja,kolegu,kolegia nuk të ofron një vend në çadër e jo më një vend në makinë.Si t’u them që është luks të kesh një mik të vërtetë,një njeri që të mbështet apo dikë qe ndihet krenar për ty dhe është me ty jo vetëm kur ti shkëlqen.
Si t’u them që edhe në rininë e gjyshërve të mi kishte më tepër lumturi, vlera dhe parime që sot i ka marrë lumi. Po rriten fëmijë që herët apo vonë me gjasa do të diagnostifikohen me sëmundje fëmijërie. Si t’u them që dëshira më e madhe ishte të rritesha mjaftueshëm për të treguar se fëmijët nuk dhunohen, dhuna nuk është forcë dhe mund të rritesh, edukohesh edhe me dashuri. E sot historia ripërsëritet. Një i ri që e gjen veten të burgosur, të gjunjëzuar der në fatalitet nga një realitet që e dhunon çdo ditë e më tepër. Realitet bastard që ta mbush gojën me rërë dhe pyet “pse nuk flet”?
Vë bast që askush s’do donte të ishte në vendin tim, pra të vishte këpucët e mia, të jetonte si unë e t’u fliste sot atyre për rininë e vendit tim. Rinia e vendit tim?
I shpallet luftë në çdo frymim dhe si çdo luftëtar, lufton..lufton deri në frymën e fundit derisa vritet.
Meqënëse kohët e fundit I kam kaluar në një ambjent mediatik ku jam ushqyer me lajme sa për gjithë jetën, ku informacioni buronte nga të gjitha anët, madje edhe ajri që thithej përmbante lajm e unë lundroja pafund në një det kronikash, ku për hir të vërtetës nuk jam fort e zonja , po e mbyll këtë shkrim me një nga ato frazat më të dashura të medias: Lajmi i fundit: Rininë e vranë! /dritare.net

















