Ky tipi ma hoqi trurin fare!

Nga Fjorda Llukmani

Nëse e pyet veten se çfarë e dallon Vjenën nga qytetet e tjera evropiane, ta jap unë përgjigjen. Është e gjitha e ndërtuar nga një fjalë: kulturë. Është turp i madh të jesh në Vjenë e mos të vizitosh muzetë më të famshëm që ka. Mënyra më e mirë dhe më e lirë për të parë pikat më interesante të qytetit është Vienna Pass.


Pasi mora një abone të tillë, turisti le ta quajmë, fillova t’u vë gishtin muzeve më të famshëm. Koha ka qenë me shi muajin e fundit prandaj mënyra më e mirë për të kaluar fundjavat, është të strukesh në artet austriake.

Zgjodha të vizitoj muzeun Leopold që ka koleksionet më të mëdha të artit austriak në botë. Emri vjen nga profesor Rudolf Leopold i cili bashkë me gruan e tij u kujdes me dekada për të ruajtur pikturat e skulpturat.

Në fakt çfarë më habiti është se kishte edhe enë qelqi, mobilie shtëpie apo rroba tradicionale që vishnnin gratë në atë kohë.

Më tepër më intrigoi prezenca e artit të Gustav Klimt, pasi është i preferuari im pas Salvador Dalisë.

Muzeu ndodhet në Museumsquartier, me pak fjalë aty ku janë të gjithë të tjerat. Kur hymë brenda nuk mbajtëm aspak radhë sepse ishim të pajisur me Vienna Pass. U ndjeva e privilegjuar sepse radha ishte goxha e madhe për të prerë biletën.

Fotografia e parë që pash m’u duk e njohur. Lexova përshkrimin dhe kuptoj që bëhej fjalë për Shkallët e Vdekjes që vizitova në Mauthausen Memorial pak kohë më parë. S’mund të jemi kurrë indiferentë ndaj historisë së shkuar.

Pastaj u marrosa në pasqyra të viteve 1900 apo piktura që dukeshin si fotografi, aq me detaje ishte e punuar. Në mes të ekspozitave kishte skulptura të ndryshme, disa prej tyre të meshkujve lakuriq, të cilat nuk më pëlqejnë fare.


Çdo kat i muzeut është i ndarë me tematika të ndryshme. Për mendimin tim fillojeni nga kati i parë deri në të fundit, sepse ëmbëlsira duhet lënë për në fund. Mirë është të përdorni shkallët pasi për të pritur ashensorin ka radhë. Ndërkohë që ngjiteshim përpiqesha të kuptoja formën që ka muzeumi. Tamam si një kub me arkitekturë sa të thjeshtë aq edhe moderne.
Kati i dytë përmban koleksionin më të madh të Egon Schiele në botë.

LEXO DHE :  Ja misioni juaj në jetë sipas shenjës astrologjike

Ky tipi më habiti fare! Pikturonte veten nudo. Vrisja mendjen si vallë e ka bërë, apo duke parë veten në pasqyrë? Madje piktori austriak i shekullit 20 është i famshëm për seksualitetin portrete të shumta të vetes. Do të shikoni piktura gjatë seksit apo femra lakuriq me pak qime në zonat intime.

Po në këtë kat gjenden disa orendi shtëpiake të krijuara në atë të njëjtën periudhë.

Dhomat e gjumit më pëlqyen shumë. Njëra prej tyre me nuanca jeshile dhe kafe kishin dollapin më simpatik që kam parë ndonjëherë.


Pas Egonit i erdhi radha të preferuarit tim, Gustav Klimt. Piktura ‘Jeta dhe Vdekja’ është bërë në dy versione. E para filloi në vitin 1908 dhe ishte bardh e zi. Versioni i fundit ka dalë për herë të parë për publikun në ‘Berlin Secession’ në 1916 ku Klimt akoma po i jepte lustrën e fundit para se ta vendosnin në kornizën origjinale. Më ngjau njësoj me ‘Puthjen’.

Motivet janë të njëjta vetëm tematika është e ndryshme. Pranë saj gjendej dhe studioja ku punonte Gustavi çdo ditë. Një foto e tij me macen dhe pëlhurën që vishte shpesh më bënë të kuptoj pse e kam kaq përzemër këtë artist. Unë i kam qejf macet dhe më pëlqen të vesh rroba të lirshme.


Muzeu kishte dhe ekspozita të tjera si p.sh Oscar Kokoschka dhe Olga Weisinder-Florian. Kjo e fundit piktore austriake që përqëndrohej në peizazhe. Pikturat e saj ishin plot jetë dhe ngjyra.

Megjithatë në Leopold ekspozitat ndryshojnë herë pas here. Para se ta vizitoni hidhini një sy faqes për të parë çfarë do shfaqin gjatë kohës së vizitës suaj. Kaluam rreth 3 orë shumë të qeta plot kulturë në një ditë gri.


“Vjenezët s’kanë nevojë për shkollë”- i them një shokut tim që më shoqëronte. “Pse”- më pyet ai? “Sepse gjithë këtë kulturë e kanë të lindur.”-i përgjigjem unë ndërkohë që numëroja vitet që do të më duheshin për të qenë baraz me kulturën vjeneze./dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.