Na ndiqni edhe në

Aktualitet

Kuvendi voton sot ‘Buxhetin 2027’ dhe ‘Paketën Fiskale’!

Kuvendi voton sot ‘Buxhetin 2027’ dhe ‘Paketën

Kuvendi do të mblidhet sot në një seancën e radhës plenare ku në fokus do të jetë miratimi i projektbuxhetit të vitit 2027 dhe paketës fiskale që e shoqëron atë. Seanca do të nisë në orën 10:00.


Në seancën sotme do të kalojnë për shqyrtim edhe dy aktet normative të qeverisë të 28 tetorit, për ndryshimet në ligjin për tubimet dhe dëmshpërblimin e subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë protestave.


Partia Demokratike propozoi dje 28 amendamente, që sipas saj, përmbysin tërësisht ndarjen që qeveria parashikon t’i bëjë buxhetit prej më shumë se 10 miliardë euro.

28 amendamentet, kanë në fokus rritjen për pagat e ulëta e të mesme, më shumë para për pensionet. PD insiston që TVSH 6% për ushqime dhe produkte të tjera bazë, të bëhet edhe për ujin dhe energjinë.


Edhe Partia e Lirisë prezantoi 12 amendamentet e saj përmes 4 paketave: rinisë, prodhimit vendas, sigurisë dhe mbështetjes sociale.

Në axhendën e Kuvendit janë përfshirë gjithashtu projektligjet për tregjet e kriptoaseteve, donacionet dhe sponsorizimet, mbikëqyrjen shtesë të institucioneve financiare, kontabilitetin në sektorin publik dhe kontrollin e punimeve të ndërtimit.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe projektligjin për ngritjen e Liceut Francez të Korçës, si dhe një shtesë në përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të reformës administrativo-territoriale.

Rendi i plotë i ditës:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18.11.2026.
2. Njoftime.
3. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”.
4. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
5. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
6. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, ‘Për taksat kombëtare’, të ndryshuar”.
7. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
8. Projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”.
9. Projektligji “Për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual, bërë në Paris, më 26.1.1982, aderuar me ligjin nr. 9852, datë 26.12.2007”.
10. Akti normativ nr. 5, datë 28.10.2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.4.2001, ‘Për tubimet’”.
11. Akti normativ nr. 6, datë 28.10.2026, “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”.
12. Projektligji “Për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë ‘Liceu Francez i Korçës’”.
13. Projektligji “Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare”.
14. Projektligji “Për tregjet e kriptoaseteve”.
15. Projektligji “Për donacionet dhe sponsorizimet”.
16. Projektligji “Për kontabilitetin në sektorin publik”.
17. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8402, datë 10.9.1998, ‘Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit’, të ndryshuar”.
18. Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 174/2026 ‘Për miratimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar ngritur me vendimin nr. 169/2026 të Kuvendit të Shqipërisë, për fazën e dytë të Reformës Administrative-Territoriale në Republikën e Shqipërisë’”.
19. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.