Kush janë 4 Pashallarët shqiptarë që sunduan nga Shkodra në Egjipt!
Dritare.net

Arthur Holcombe sjell sot në DritareTV një tjetër dokumentar historik, këtë herë kushtuar epokës së pashallarëve shqiptarë dhe rolit që ata luajtën në një Perandori Osmane që po dobësohej.
Nga Bushatllinjtë e Shkodrës te Ali Pashë Tepelena, nga Pashallëku i Beratit te Mehmet Ali Pasha në Egjipt, dokumentari rrëfen se si shqiptarët krijuan zona të fuqishme vetëqeverisëse, ngritën ushtritë e tyre dhe ushtruan pushtet përtej kufijve të krahinave që drejtonin.
Por kjo histori shkon përtej pashallarëve. Holcombe tregon se si kjo epokë krijoi kushtet që do të ushqenin më pas lëvizjet kombëtare, nga Lufta Greke për Pavarësi deri te Rilindja Kombëtare Shqiptare, e cila do të gjente mbështetje të rëndësishme edhe te diaspora shqiptare në Egjipt.
Ja dokumentari i plotë nga Arthur Holcombe!
Mes viteve 1750 dhe 1831, katër shqiptarë krijuan pashallëqe të mëdha, me një shkallë të lartë vetëqeverisjeje, në Ballkanin Perëndimor dhe në Egjipt. Ata zhvillonin politikën e tyre të jashtme, financonin ushtritë e tyre, ofronin shërbime publike dhe ushtronin vetëqeverisje. Në turqisht njiheshin si *ajanë*, që do të thotë “parësi” ose “figura të shquara”, dhe përfaqësonin një formë partneriteti kontraktual mes provincave dhe shtetit osman.
Këto pashallëqe shqiptare ishin; ai i familjes Bushati në Shkodër, ai i Ali Pashës së Janinës, ai i familjes së Kurt Pashës në Berat dhe ai i Mehmet Ali Pashës, pasardhësit e drejtpërdrejtë të të cilit do të sundonin Egjiptin për 150 vjet. Kështjellat e tyre madhështore mund të vizitohen edhe sot. Fortifikimet më të hershme të Kalasë së Rozafës në Shkodër datojnë që nga ilirët e lashtë, paraardhësit e shqiptarëve të sotëm, ndërsa edhe kodra e Kalasë së Beratit u banua fillimisht nga fise ilire.
Por si u arrit deri këtu?
Gjithçka nis me dobësitë sistemike të Perandorisë Osmane në fillim të shekullit XVIII. Gjatë Luftës së Madhe Turke, e cila përfundoi në vitin 1699, osmanët dështuan të pushtonin Vjenën dhe u detyruan të hiqnin dorë nga Hungaria. Kjo ishte humbja e parë territoriale e perandorisë pas tre shekujsh e gjysmë zgjerimi.
Revolucioni i barutit e kishte ndryshuar tashmë ekuilibrin në fushën e luftës, duke favorizuar këmbësorinë e disiplinuar, të pajisur me armë zjarri dhe artileri e të mbështetur nga një sistem i centralizuar furnizimi, në vend të kalorësisë mbi të cilën provincat e perandorisë ishin mbështetur prej shekujsh.
Sistemi i vjetër i timarit, ku kalorësit shpërbleheshin me të ardhurat nga toka në vend të parave, thjesht nuk mund të financonte më ushtrinë e përhershme, me paga dhe armë zjarri, për të cilat perandoria kishte nevojë për të mbijetuar. Shtetit i duheshin para, por nuk kishte një mënyrë të drejtpërdrejtë për t'i siguruar ato.
Për këtë arsye, shteti zgjodhi t'ia delegonte mbledhjen dhe mbikëqyrjen e të ardhurave, parësisë vendore në nivel krahine, qyteti dhe zonash rurale. Këta sipërmarrës kishin liri për të qeverisur dhe për të krijuar të ardhura, duke mbajtur fitimin për vete. Sipas sistemit të ri, ata i paguanin shtetit një shumë të përcaktuar me marrëveshje dhe kontratë, ndërsa teprica mund të përdorej në nivel vendor për nevoja ushtarake dhe administrative.
Nga ky sistem lindën tri zona autonome, të cilat mbivendoseshin me njëra-tjetrën në Shqipëri dhe në territoret kufitare të saj.
Pashallëku i Shkodrës, nën familjen Bushati, ishte qendra kryesore në veri. Ishte një territor gegë, me qendër Shkodrën, që arriti shtrirjen e tij më të madhe nën drejtimin e Kara Mahmut Pashës, mes viteve 1775 dhe 1796. Në atë periudhë, ai shtrihej nga Shqipëria veriore dhe qendrore drejt Kosovës, Maqedonisë Perëndimore, Serbisë Juglindore dhe, për një periudhë të shkurtër, në pjesën më të madhe të Malit të Zi.
Pashallëku i Janinës, nën drejtimin e Ali Pashës që prej vitit 1788, ishte homologu i tij jugor: një territor toskë me qendër Janinën, i cili me kalimin e kohës do të përfshinte një pjesë të madhe të Greqisë kontinentale.
Mes këtyre dy fuqive ndodhej Pashallëku i Beratit, nën Ahmet Kurt Pashën. Berati u kthye në territorin e kontestuar për të cilin luftuan si Kara Mahmut Pasha, ashtu edhe Ali Pasha, në ato që njihen si Luftërat Shkodër–Berat. Sot, Berati është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe vlerësohet për historinë e tij të gjatë të bashkëjetesës mes myslimanëve dhe të krishterëve gjatë sundimit osman.
Lufta Ruso-Turke e vitit 1768 e vuri edhe më shumë në provë shtetin osman, i cili kishte nevojë të dëshpëruar për njerëz dhe para. Ishin pikërisht këto rrethana që i mundësuan brezit të Ali Pashës dhe partnerëve të tjerë provincialë të konsolidonin pushtetin e tyre vendor dhe ta shndërronin atë në një sundim rajonal të qëndrueshëm dhe me vetëqeverisje.
Nga fundi i shekullit XVIII, shteti osman ishte bërë plotësisht i varur nga këta udhëheqës provincialë. Parësia më e fuqishme e zgjeroi autoritetin shumë përtej krahinave të veta, duke krijuar zona rajonale ndikimi, të mbajtura së bashku përmes marrëdhënieve klienteliste dhe aleancave me parësinë e rangjeve më të ulëta.
Ali Pasha i Janinës, me origjinë nga Tepelena, e shtriu pushtetin e tij në Shqipërinë e Jugut, Peloponez dhe Greqinë Qendrore. Në vitin 1799, Aliut iu dha Thesalia me detyrën për të garantuar sigurinë dhe për të çliruar rajonin nga banditët.
Administrata e tij përdorte turqishten osmane në korrespondencën zyrtare me autoritetet perandorake, ndërsa greqishten e folur dhe shqipen në komunikimin me komunitetet vendore dhe anëtarët e rrjetit të tij. Arkivat e Aliut tregojnë se zgjerimi i pushtetit të tij rajonal mbështetej në marrëveshje dhe negociata delikate si me administratën qendrore, ashtu edhe me udhëheqës, rrjete dhe komunitete të ndryshme vendore.
Në vitin 1801, Ali Pasha krijoi marrëdhënie diplomatike me francezët dhe britanikët lidhur me Ishujt Jonianë. Përfshirja e tij në diplomacinë ndërkombëtare në Greqinë dhe Shqipërinë osmane ia rriti reputacionin në qarqet evropiane dhe në kulturën popullore.
Janina nën Ali Pashën u bë një nga qendrat kryesore të Iluminizmit grek. Ai mbështeti dijetarët grekë dhe financoi shkolla greke. Gjatë më shumë se tri dekadave të sundimit të tij gjysmëautonom, oborri i Aliut, në mënyrë të tërthortë, stërviti dhe armatosi shumë prej luftëtarëve dhe komandantëve që më pas do të udhëhiqnin lëvizjen greke për pavarësi.
Mes tyre ishin edhe luftëtarët suliotë, të cilët kishin kaluar vite duke luftuar kundër vetë Ali Pashës, përpara se të përdornin të njëjtat aftësi kundër osmanëve në vitin 1821.
Sulltan Mahmuti II erdhi në pushtet në vitin 1808, në mes të një krize që për pak i kushtoi fronin. Paraardhësi i tij, Selimi III, kishte humbur tashmë jetën gjatë kësaj krize, ndërsa ajani që e vendosi Mahmutin në fron, Alemdar Mustafa Pasha, e detyroi atë të nënshkruante *Sened-i İttifak*, Aktin e Aleancës, i cili sanksiononte zyrtarisht pushtetin e parësisë provinciale, përpara se Mahmuti të kishte siguruar plotësisht pushtetin e vet.
Ai kaloi pjesën më të madhe të dekadës pasuese duke konsoliduar pozitën e tij, përpara se të niste një fushatë sistematike për të çmontuar sundimin e decentralizuar në të gjithë perandorinë. Pashallëqet shqiptare ishin ndër objektivat e para dhe më simbolike të kësaj fushate.
Ali Pasha rezistoi për afro dy vjet pasi u shpall rebel në vitin 1820. Ai u rrethua në kryeqendrën e vet, derisa bëri qëndresën e fundit në një manastir, në një ishull të vogël të liqenit të Pamvotidës.
Ai u vra në një përleshje të fundit me armë zjarri në shkurt të vitit 1822, kur ishte rreth 80 vjeç. Atij iu pre koka dhe iu dërgua në Stamboll si provë e vdekjes së tij.
Por Mahmuti nuk do të mund ta pengonte lëvizjen kombëtare greke që ta zëvendësonte regjimin e Aliut me një program të mirëfilltë për pavarësi kombëtare.
Pas eliminimit të Ali Pashës, Mahmuti iu kthye qëndresës së fundit në veri: Mustafa Pashë Bushatit. Në vitin 1831, ai e rrethoi në Kalanë e Rozafës dhe e detyroi të dorëzohej, duke i dhënë fund 74 viteve të sundimit të Bushatllinjve dhe duke e rikthyer Shkodrën nën administrimin e drejtpërdrejtë osman.
Por Mahmuti II nuk arriti kurrë ta eliminonte Mehmet Ali Pashën, familja e të cilit vinte nga rajoni i Korçës.
Ai mbërriti në Egjipt në vitin 1801 me një repart shqiptar të ushtrisë osmane, të dërguar për të ndihmuar në dëbimin e francezëve. Egjipti ndodhej larg qendrës së perandorisë dhe pasuria e tij, e siguruar nga pambuku dhe drithërat, financonte ushtrinë e madhe të Mehmet Aliut, një ushtri tepër e fuqishme që sulltani ta sulmonte drejtpërdrejt.
Sulltanit i duhej Mehmet Aliu për të shtypur kryengritjen vehabiste në Arabi dhe, më vonë, për të shtypur Revolucionin Grek që kishte mbushur boshllëkun e krijuar pas rënies së Ali Pashës.
Begatia e Egjiptit do të tërhiqte më pas tregtarë shqiptarë dhe komuniteti shqiptar atje bëri shumë më tepër sesa thjesht të begatohej: ai ndihmoi financiarisht edhe vetë Rilindjen Kombëtare Shqiptare.
Kur Sami Frashëri themeloi Shoqërinë e të Shtypshkronjës Shqip në vitin 1879, duke botuar libra dhe tekste shkollore në gjuhën shqipe, pavarësisht kufizimeve osmane, ishte diaspora shqiptare në Egjipt ajo që ndihmoi në financimin e saj.
Gazeta në gjuhën shqipe vazhduan të botoheshin në Kajro deri në vitet 1920, ndërsa shumë prej figurave të mëdha të letërsisë moderne shqiptare, si Thimi Mitko, Andon Zako Çajupi dhe Fan Noli, jetuan dhe punuan në Egjipt. Edhe vetë Mbreti Zog gjeti strehim në Egjipt nga viti 1946 deri në vitin 1955.
Në vitin 1952, oficeri i ushtrisë egjiptiane Gamal Abdel Nasser ndihmoi në udhëheqjen e grushtit të shtetit që i dha fund sundimit të dinastisë së Mehmet Aliut.
Komuniteti shqiptar i Egjiptit, që numëronte rreth 4 mijë familje, në pjesën më të madhe u largua nga vendi, duke emigruar kryesisht drejt Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.
I njëjti sistem që u mundësoi Ali Pashës, Kara Mahmut Pashës dhe Mehmet Ali Pashës të krijonin territoret e tyre brenda një perandorie që po dobësohej, do të mbillte më vonë edhe farat e lëvizjeve kombëtare.
Në Janinë, dekadat e sundimit gjysmëautonom të Ali Pashës krijuan terrenin ku u formuan luftëtarët dhe kultura iluministe që do të ushqenin Luftën Greke për Pavarësi.
Në Egjipt, suksesi i Mehmet Aliut ndërtoi një shtet të qëndrueshëm, mjaftueshëm të pasur dhe të hapur për të tërhequr breza të tërë tregtarësh, shkrimtarësh dhe të mërguarish shqiptarë, paratë dhe pena e të cilëve në Kajro ndihmuan në financimin dhe formësimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në atdhe.
Dy lëvizje kombëtare, në brigje të kundërta të Mesdheut, u rritën të dyja nga të çarat e krijuara gjatë Epokës së Pashallarëve; të çara që, gjatë shekullit pasues, do të ndihmonin në çuarjen drejt fundit të vetë Perandorisë Osmane."/dritare.net