Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Kujdes kujt ia beson telefonin tënd!

Kujdes kujt ia beson telefonin tënd!

Nga Dritare.net

Çdo e keqe të vjen nga padija. Këtë nuk e them unë. Kanë qenë më me eksperiencë se unë, ata që dolën në këtë përfundim. Unë fatkeqësisht dola në këtë konkluzion duke e pësuar. Dikush mund të thotë se është e pamundur të dish gjithçka. Por mund të pyesësh, ama. Mund të kërkosh e pastaj të zgjedhësh kujt t’i besosh.

Sidomos duhet të kesh shumë kujdes, se kujt ia lë telefonin tënd për ta rregulluar. Unë ua besova dy çunave në Bllokun Vasil Shnato. Nuk kisha njohuri për dijet e tyre profesionale. Por, krijova një përshtypje të mirë, nisur nga pamja e jashtme dhe komunikimi. Krijova një përshtypje për karakterin e tyre, por jo për profesionalizmin. Nuk e tregon pamja sa profesionist është dikush. Pamja tregon sa i qetë apo jo është, sa i njerëzishëm, apo sa i bukur. Vetëm kaq. Për të tjerat duhet puna.

Shkoj e marr pas një dite dhe sapo i vendos SIM të nesërmen, telefoni fiket. Pavarësisht se kisha paguar shërbim, ai ishte në gjendje fillestare. Kur ia çoj sërish, marr si përgjigje vetëm një gjë: “Ne ta dhamë të rregullt, por do ta shohim sërish, pasi problemin mund ta ketë butoni i fikjes”. Pres disa ditë sa të vinte butoni dhe një pajisje tjetër, që se mora vesh çfarë ishte. Dhe përfundimi ishte se sërish nuk bëhej.

Këtë radhë problemin e kishte qarku. Dhe me të tillë problem, telefoni nuk funksionon më. Sipas tyre, unë duhet t’ua kisha thënë që në fillim simptomat që kishte telefoni. Një gjë që se dija as vete, pasi s’më kishte ndodhur një problem i tillë më parë. U desh të harxhoja kohë dhe para për të kuptuar problemin e telefonit. Meqë nuk bëhej, mendova të sajoja diçka tjetër për ca kohë.

Epo, kur të vijnë të këqijat, hapu derën. Në përpjekje për ta bërë iPod të përdorshëm edhe si telefon, e bllokova edhe atë. Prandaj, duhet të bëni kujdes me adresat e iCloud, që të mos e pësoni e të strapacoheni duke provuar 500 adresa e kode, që as vetë nuk i dini. Çunat e Vasil Shantos, më thanë që nuk bëhet më. Më mirë ta hidhja, se nuk kishte zgjidhje.

Provova një mundësi tjetër. Shkova në një nga këto dyqanet që iu ka dalë nami për mirë. Nga këto me mollë dhe portokalle. Më thanë se iPod duhet të kontrollohet fillimisht në ça liste është, pasi mund të jetë në listë të zezë dhe aty punon vetëm me WiFi. Më thanë se do të më lajmëronin pas 24 orëve, pasi atëherë kthehej përgjigje. Prita 60 orë dhe asnjë përgjigje. E marr në telefon dhe thotë se shefi ka ikur jashtë shtetit. Nëse kthen përgjigje, do të më telefonojnë, në të kundërt duhet të pres 1 javë sa shefi të kthehet. Nuk prita dot, shkova në dyqan, ndërkohë që shefi i kishte kthyer përgjigje dhe telefoni ishte në listën e zezë. Nuk pranonte SIM.

Pagova shërbimin e deritanishëm e u largova për të provuar fatin tjetërkund. E gjej aty në zonën e ish Bllokut. Duke pyetur dhe kërkuar, gjej një servis që ofronte zgjidhje dhe çmime të arsyeshme. Ai hodhi poshtë çdo gjë që kisha bërë e më kishin thënë deri tani. Më tha se telefoni nuk ka problem qarku. Se iPod nuk ka si të ndodhet në listën e zezë, kur nuk është i vjedhur dhe se mund të hapet brenda 10 ditëve. Ndërsa telefoni rregullohej të nesërmen. Nëse do të kisha kërkuar edhe në disa vende, me siguri do më kishin dhënë përgjigje të ndryshme, duke ma bërë të vështirë, se kujt duhet t’i  besoja.

Kur sheh një mori qëndrimesh të tilla, kupton sa të paktë janë profesionistët dhe njerëzit që japin zgjidhjet e sakta. Disa nuk dinë, e të tjerë mashtrojnë. Sa shumë gënjeshtra qarkullojnë në treg e sa shumë mashtrime bëhen vetëm për para. Kohë e çuar dëm, stres i pakapërcyeshëm dhe një mungesë e theksuar korrektësie. Njerëz që nuk të telefonojnë kurrë, që nuk kanë turp të marrin para pa bërë asgjë dhe mbi të gjitha nuk kanë turp të të gënjejnë në sy.

Si unë, mund të jenë dhjetëra njerëz në ditë që kanë nevojë për shërbime të tilla dhe që bihen pre e këtyre situatave.

Teknologjia e ka ngushtuar aq shumë jetën, duke e bërë veten e vet të domosdoshme. Pa të, s’ke ku shkon. E mbi të gjitha s’ke ku i rregullon. Serviset janë gjithandej, por njerëzit që të ndihmojnë janë me kokrra. Shumica prej tyre janë mashtrues e njerëz të paditur nga teknologjia dhe të ditur për zhvatje. Duhet bërë një selektim i tyre, që të shpëtojmë nga vjedhja./Dritare.net