Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në deklaratë theksohet se bëhet fjalë për një vendim jo përfundimtar dhe se Zagrebi nuk dëshiron të paragjykojë përfundimin e procesit gjyqësor.
Sipas Ministrisë së Jashtme kroate, ky aktgjykim nuk ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë dhe faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të regjimit të Sllobodan Millosheviçit.
Gjithashtu, Kroacia thekson se përgjegjësia individuale nuk mund të përdoret për relativizimin e këtyre krimeve apo për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
"Kroacia merr në dijeni aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Bëhet fjalë për një aktgjykim që nuk ka marrë formë të prerë, ndaj nuk dëshirojmë të paragjykojmë përfundimin e procesit.
Njëkohësisht, ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë dhe as faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të regjimit të Millosheviçit.
Përgjegjësia individuale e një personi nuk mund të jetë bazë për relativizimin e këtyre krimeve dhe as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.”