

Në vitin 1992, Xhorxh Soros kishte financuar shtatë gazeta, që atëhere konsideroheshin opozitare me ish-regjimin komunist dhe kishte paguar ndërtimin e një shtypshkronje dhe furnizimin e saj me letër. Jashtë liste kishte ngelur ende një gazetë kulturore, “Drita”, e cila nuk kishte më asnjë mbështetje financiare, pasi ishte shkrirë Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Një redaktore e saj, që tani është gazetare shumë e njohur, në përpjekje për ta bindur Xhorxh Sorosin të paguante plotësisht për gazetën “Drita” e pyeti:
-Zoti Soros, keni dhënë lekë për gjithë këto gazeta partiake, po për ne që jemi tërësisht të pavarur, pse nuk na financoni plotësisht? -Jo, i tha Soros me humor, se pastaj do vareshit nga unë! Mu kujtua kjo skenë nga përballja e brezit të gazetarëve të rinj të viteve ‘90, me mbijetesën dhe lirinë e shtypit, tani që në Shqipëri po gëlojnë teori të pafundme konspirative, pas miratimit të reformës në drejtësi, që vënë në qendër të këtij komploti përsëri Xhorxh Sorosin, i cili nuk jam i sigurtë nëse është njoftuar që është miratuar reforma dhe a ka fuqi fizike të ndjekë zhvillimet në Shqipëri.
Kjo valë teorish konspirative nisi pas miratimit në parim të reformës në drejtësi në korrik, kur kundërshtarët e palëkundur të saj, filluan të shpjegojnë tërheqjen e PD dhe votën në parim pro reformës, si një konspiracion ndërkombëtar. Në pamundësi për të shpjeguar pse votoi PD, filluan të lulëzojnë teori konspirative që vënë në qendër të aksionit pro reformës, miliarderin filantropist e kontravers, Xhorxh Soros, si dhe teori qesharake për përplasje BE– SHBA, e deri tek riformatimet e aleancave globale, pas luftës në Siri.
Është pak qesharake dhe për kulturën e komunikimit publik, të shpjegojmë tani botën me libra të shoqërive sekrete, por më qesharake është që të besojmë se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos këto të fundit, vunë veton për reformën, për shkak të një miliarderi anti-establishment, që ka pasaportë amerikane. Por është e thjeshtë çfarë ka ndodhur. E gjithë kjo mërzi në të vërtetë shpjegon faktin përse PD ndjehet e penduar që u miratua reforma, dhe se si po përpiqet të votojë kundër ligjeve implementuese të saj.
E gjitha çfarë po ndodh është një përpjekje për të gjetur një shpjegim anormal, përse PD u detyrua të votojë. Kjo u bë më e qartë sot në Komisionin e Reformës, kur PS dhe LSI, votuan ligjin e “Vettingut” dhe PD votoi kundër. Problemi i PD është se nuk i pengon dot ligjet organike pasi ato duan 84 vota dhe koalicioni i ka ato vota. Basha dhe Berisha e votuan reformën, me shpresë se e përdorën atë mjaftueshëm, sa për të përçarë politikisht koalicionin PS-LSI, duke shpresuar që pas reformës, ata do të merrnin qeverinë dhe do të zbatonin reformën, siç dëshironin ata. Kjo gjë nuk ndodhi dhe duket që ka ngjallur një dëshpërim të frikshëm, që i ka bërë kundërshtarët e reformës, të shikojnë ⌀⌅lxhanin nga u erdhi kjo e keqe.
Është e qartë nga u erdhi. Nga vendosmëria e SHBA dhe BE, për të bërë reformën në drejtësi në Shqipëri, duke e ideuar vetë dhe duke e paguar vetë. Ligji i “Vettingut”, po votohet mes të tjerash, edhe nën presionin që duhet votuar brenda gushtit, se digjen fondet e BE.
Pra është një drejtësi ku Perëndimi nuk po investohet vetëm politikisht, por dhe ⌀⌅nanciarisht. Por a do të jetë kjo një drejtësi e pavarur? Për këtë po, ia vlen të kujtojmë konferencën e parë të shtypit të Sorosit në Tiranë në vitin 1992. Po u pagua e tëra nga Perëndimi, do jetë e varur nga Perëndimi. Shpresoj që kjo të mos t’u mërzisë më shumë.

















