Ja sa vite burg kërkon SPAK për Pirro Xhixhon dhe Fatime Kryemadhin!
Dritare.net
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka paraqitur pretencën për Pirro Xhixhon, Fatime Kryemadhin dhe Ema Çokun, të pandehur në dosjen që lidhet me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.
Për Pirro Xhixhon, i akuzuar për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, SPAK ka kërkuar dënimin me 4 vite e 6 muaj burg. Në rast të pranimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi zbret në 3 vite burg. Sipas gazetares Anila Hoxha, Prokuroria ka kërkuar që, duke marrë parasysh moshën e Xhixhos dhe faktin se ai nuk ka përfituar nga vepra penale, dënimi me burg të konvertohet në shërbim prove.
Për Fatime Kryemadhin, e akuzuar për pastrim parash të kryer në bashkëpunim, SPAK ka kërkuar dënimin me 7 vite e 6 muaj burg. Me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, dënimi reduktohet në 5 vite burg. Edhe në këtë rast, Prokuroria ka kërkuar pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe konvertimin e tij në 5 vite shërbim prove, duke marrë në konsideratë moshën e saj.
Ndërkohë, për Ema Çokun, e akuzuar për pastrim parash në bashkëpunim, SPAK ka kërkuar dënimin me 7 vite burg, i cili me gjykim të shkurtuar ulet në 4 vite e 8 muaj. Prokuroria ka kërkuar gjithashtu pezullimin e dënimit me burg dhe vendosjen e saj në shërbim prove për një periudhë 5-vjeçare.
SPAK ka kërkuar edhe konfiskimin e vilës në pronësi të Fatime Kryemadhit. Sipas Prokurorisë, edhe pse pasuria rezulton e justifikuar me burime të ligjshme, ajo konsiderohet ekuivalente me shumën që dyshohet se është pastruar.