
Ja pse u shkarkua drejtoresha e Burgut të Grave, Xhoi Jakaj!
Dritare.net

Dy javë para largimit nga detyra, Jakaj kërkoi amnistimin e 3 të burgosurave nga Presidenti Meta, pasi sipas saj ishin të sëmura dhe të moshuara. Nëpërmjet një postimi në Facebook (lexo këtu), Jakaj shkruante se do t'i drejtonte një kërkesë presidentit Meta, në prag të Vitit të Ri, ashtu siç kishte bërë para 1 viti.
Dritare.net kontaktoi me Jakajn, për të mësuar më shumë për historitë e tre të burgosurave. Por, ish drejtoresha tha, se pas kërkesës që bëri publike, me shumë mundësi do ta largonin nga detyra. "Pikërisht se i bëra publike këto raste, më duket se do më largojnë nga puna", tha Jakaj për Dritare.net.
Siç duket, dyshimet e Jakajt janë bërë fakt i kryer.
Postimi i plotë:
Të dashur miq:
Si për ironi të fatit më datën 10 është emërimi dhe shkarkimi im si Drejtore e burgut të grave, sot dorëzova detyrën në formën më qytetare e të civilizuar. Qeveria aktuale nuk e pa të arsyeshme vazhdimësinë time në këtë detyrë.
Gjatë 22 muajve në drejtimin e atij institucioni, zbatova me përpikmëri ligjin, por nuk kam reshtur as nuk do reshtë së foluri dje, sot, nesër e përgjithnjë në mbështetje të njerëzve në nevojë edhe nëse ajo ka kosto, në punën e jetën time ka vend ndershmëria, virtyti, dhe e vërteta.
Për mua nuk ka punonjës dembelë të paaftë as sistem të korruptuar, të tillë i bëjnë drejtuesit, kur ata nuk drejtojnë me parime dhe shembuj konkret, unë ia dola dhe po iki me kokën lart dhe e respektuar nga shumica prej tyre.
Mirënjohje për gjithë ata që më besuan e mbështetën!/L.P./Dritare.net

















